Liga e Evropës do të mësojë sonte ne mbrëmje katër ekipet gjysmëfinaliste. Porto, Vilareali dhe Benfika janë thuajse të kualifikuara, ndërsa mbetet gjithçka e hapur në Braga-Dinamo Kiev.
Pasi siguroi titullin në kampionatin portugez pesë javë para fundit, Porto është në rrugë të mbarë edhe në arenën evropiane. Suksesi 5-1 në ndeshjen e parë kundër Spartakut të Moskës në shtëpi, i çon “Dragonjtë” me një këmbë në fazën tjetër.
Sonte skuadra e Vilas-Boas udhëton drejt kryeqytetit rus për të bërë formalitetin e radhës.
Në gjysmëfinale, Porto gjen me shumë gjasa Vijarrealin. Ashtu si kampionët e Portugalisë, edhe “Nëndetësja e Verdhë” e ka fituar 5-1 sfidën e parë në fushën e vet përballë holandezëve të Tuentes. Në duelin e sotëm ekipi që renditet i katërti në kampionatin spanjoll, do synojë të mbyllë llogaritë.
Dueli tjetër gjysmëfinalist vë përballë ekipet që do të triumfojë nga ndeshjet Benfika-PSV Eindhoven dhe Braga-Dinamo Kiev. Në çiftin e parë duket se çështja e kualifikimit është e mbyllur, pas triumfit 4-1 të Benfikës në “Da Luz”. Ndërkohë, gjithçka e hapur në takimin e Bragës, pas barazimit 1-1 në sfidën e parë të luajtur në Ukrainë.
Thursday, 14 April 2011 15:59