Nuk ka surpriza në “Uajt Hart Lejn”. Reali mund edhe në ndeshjen e dytë Totenhemin (1-0) dhe arrin në gjysmëfinale, ku gjen Barcelonën. Pas suksesit të thellë 4-0, madrilenët nuk e kanë aspak të vështirë të kontrollojnë takimin, edhe pse në fushë nuk ishin disa prej titullarëve. Gjysma e parë e ndeshjes mbyllet me rrjeta të paprekura, pas një me fare pak raste në të dyja portat.
Pjesa e dytë nis nën shenjën e portierit të Totenhemit, Heurelio Gomesh. Kristiano Ronaldo lëshon një të djathtë të fuqishme nga distanca, topi i shpëton nga duart “gardianit” brazilian dhe përfundon në rrjetë: 0-1.
Për Ronaldon goli i gjashtë në këtë sezon të Championsit, i 28-i gjithsej në garën më të rëndësishme të futbollit evropian të klubeve. Në minutat e mbetura, për t’u shënuar vetëm traversa e Pavliçenkos me kokë dhe asgjë më tepër.
Përfundon 1-0, Reali gjen gjysmëfinalet pas tetë sezonesh dhe përgatitet për sfidën e katërfishtë me Barcelonën brenda 18 ditëve të ardhshme. Të shtunën mbrëma (ora 22:00), dy gjigantët e futbollit spanjoll dhe atij evropian do të përballen në “Bernabeu” për javën e 31-të të kampionatit spanjoll.
“El Classico” do të vijojë të mërkurën me finalen e Kupës së Mbretit në “Mestaja” të Valencias, për të përfunduar me dy gjysmëfinalet e Championsit (26 prill dhe 3 maj). Katër takime plotësisht për t’u shijuar.
Ndërkaq, Interi nuk arrin të përmbysë humbjen 5-2 në ndeshjen e parë përballë Shalkes dhe i jep fund udhëtimit në Ligën e Kampionëve. Kampionët e Evropës në fuqi e humbasin edhe përballjen e kthimit, kësaj radhe me rezultatin 2-1. Në Gelsenkirshen vendosin golat e Raulit dhe Hovëdesit për vendasit, si dhe barazimi i përkohshëm i Tiago Motës.
Të zotët e shtëpisë gjejnë epërsinë në minutën e fundit të pjesës së parë me legjendarin Raul. Sulmuesi spanjoll merr një top vertikal në hyrje të zonës dhe, pasi mposht portierin Hulio Sezar, e ka lojë fëmijësh të shtyjë topin në rrjetë, për të 72-ën heë në kompeticionet evropiane.
Katër minuta nga fillimi i pjesës së dytë, Tiago Mota përfiton nga një rrëmujë në zonën gjermane pas një goditjeje këndi dhe barazon rezultatin. Disa minuta më pas, gjyqtari anulon një gol të Shalkes për një pozicion të parregullt.
Skuadra vendase shfaqet vazhdimisht e rrezikshme para portës interiste dhe gjen golin e fitores në minutën e 81-të. Hëvedes merr një pasim spektakolar nga Raul në mesfushë dhe, i vetëm përballë portierit, vulos suksesin e të tijve.
Përfundon 2-1, kampionët dalin kokulur pas dy humbjeve nga gara të cilën e fituan sezonin e shkuar. Sukses i merituar për Shalken, që u dha zikaltërve një leksion futbolli dhe në gjysmëfinale do të përballet me Mançester Junajtid.
Thursday, 14 April 2011 08:37