Tiranë – Interi nuk ka kohë për t’u dëshpëruar pas humbjes 2-5 në shtëpi ndaj Shalkes në Ligën e Kampioneve, pasi nesër do të ketë takimin e kthimit në Gelsenkirshen.
Ndonëse diferencat midis kampionëve të Evropës në fuqi dhe gjermanëve janë të mëdha, ishin pikërisht këta të fundit që bënë surprizën në ‘San Siro dhe tashmë zikaltrit duhet të bëjnë një ndeshje perfekte dhe të fitojnë me diferencë prej katër golash në “Veltins-Arena” nëse dëshirojnë të kualifikohen në gjysmëfinale.
Presidenti i Interit, Masimo Morati, ka pranuar se përmbysja e rezultatit ndaj Schalkes është thuajse e pamundur. “Duhet të jemi të përqendruar dhe të tentojmë të bëjmë diçka që është e pamundur. Kjo e pamundur i jep ndeshjes një perspektivë magjepsëse”, ka thënë Morati.
Ndërkohë, një armë plus për trajnerin brazilian Leonardo është edhe rikthimi i mbrojtësit argjentinas,Valter Samuel, i cili është kthyer në skuadrën e Interit pas pesë muajsh larg fushe, si pasojë e ndërhyrjes kirurgjike të cilës iu nënshtrua në ligamentin e gjurit të majtë. Mbrojtësi argjentinas ka munguar që nga muaji nëntor, ndërsa është përfshirë në skuadrën e Leonardos prej 22 lojtarëve që do të udhëtojnë në Gelsenkirchen në ‘misionin e pamundur’ për të kërkuar një vend në gjysmëfinale. Ndërkohë, mungesa e vetme për gjermanët do të jetë peruani Farfan si pasojë e pezullimit.
Për herë të parë këto dy klube janë ndeshur në 1997-n, kur përcaktuan fituesen e Kupës UEFA. Në finalen e parë të zhvilluar në Gelsenkirshen skuadra e drejtuar në atë kohë nga Hub Stivens mundi italianët 1-0 falë një goli të Mark Vilmots. Më pas, në “San Siro”, takimin e fitoi skuadra e Roi Hodgsonit, që mori një fitore minimale pas golit të vetëm të takimit të shënuar nga Ivan Zamorano. Duke qenë se pas 180 minutave lojë “mbretëroi” ekuilibri, fituesi e atij viti u vendos pas goditjeve të penalltive, kur më të saktë u treguan gjermanët. /a.ke/
Formacioni i mundshëm
Inter: Hulio Sezar; Maikon, Ranokia, Lucio, Zaneti; Stankoviç, Kambiaso, Tiago Mota; Shnaider; Milito, Eto. Shalke: Nojer; Uçida, Hëvedes, Metzelder, Sarpei; Hurado, Matip, Draksler, Baum-Johan; Raul, Edu.
Tuesday, 12 April 2011 15:56