Tiranë – Rinovimi i kontratës së trajnerit të ekipit kombëtar të futbollit, Josip Kuzhe, duket se është kthyer në një çështje si për Federatën Shqiptare të Futbollit edhe për mediat kroate, sidomos pas fitores 1-0 të Shqipërisë ndaj Bjellorusisë, e cila nuk ka kaluar pa u vënë re edhe në atdheun e trajnerit Josip Kuzhe, në Kroaci.
Në fakt, ka qenë pikërisht një deklaratë e Kuzhesë për të përditshmen kroate “Veçernji List”, ku ka bërë të ditur se do të presë deri në qershor Federatën Shqiptare të Futbollit, më pas do të vendosë për të ardhmen e tij, çka ka bërë që menjëherë të ngrihen hipoteza të ndryshme rreth të ardhmes së teknikut kroat. Në këtë mënyrë, ai ka lënë të kuptohet se nëse për dy muajt e ardhshëm nuk do të diskutohet rinovimi, do të shohë për oferta të tjera.
Mediat kroate që pas fitoressë Shqipërisë ndaj Bjellorusisë kanë publikuar lajmin se kombëtarja e Kroacisë kërkon të emërojë Kuzhen në krye të stolit të saj.
Sipas tyre, trajneri Kuzhe është duke zhvilluar një punë mjaft të mirë me kuqezinjtë dhe rezultatet pozitive në ndeshjet e kësaj fushatë eleminatore kanë rritur vlerën e tij. Kroacia ka humbur me Gjeorgjinë në ndeshjen e fundit dhe trajneri Slaven Bilic është kritikuar ashpër nga opinioni sportiv kroat.
Sigurisht që një ofertë e Federatës Kroate në drejtim të Kuzhesë mund të vinte vetëm pas këtyre eliminatoreve, por të gjitha premisat janë që Kuzhe të refuzojë këtë ofertë pasi ai preferon të vijojë rrugën me Shqipërinë. Këtë e ka deklaruar shumë herë kroati gjatë intervistave të tij. Por duket se në sfond është edhe një kontratë nga ish- skuadra e tij, Dinamo e Zagrebit.
Pika ku mund të kapen kroatët, është mungesa e rinovimit të kontratës për Kuzhenë nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, që deri tashmë është shtyre disa herë, për të parë ecurinë e kombëtares në këto eliminatore.
Megjithatë, pas fitores me Bjellorusinë, presidenti i FSHF-së, Armando Duka, ka bërë të ditur se do të rinovojë edhe me dy vite të tjera kontratën e kroatit Kuzhe, e cila skadon në përfundim të eliminatoreve për Euro 2012.
Josip Kuzhe e mori drejtimin e Shqipërisë në maj të vitit 2009, pas largimit të holandezit Ari Han. Në Euro 2012, ai ka arritur 8 pikë pas 5 ndeshjesh dhe Shqipëria aktualisht ndodhet në vendin e dytë, bashkë me Bjellorusinë.
Në Kroaci, Kuzhe ka drejtuar vetëm në nivel klubesh ku është ulur në stolin e skuadrave me emër si Dinamo Zagreb e NK Zagreb.
Tuesday, 12 April 2011 11:29