Basha: Për një kundërsulm të sportit ndaj betonit
Tiranë – Dita e hapur e sportit, një aktivitet që organizohet nga Agjencia e Shërbimeve të Sportit, kishte të ftuar sot Lulzim Bashën, kandidat për kryebashkiak në Tiranë.
Kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha, e vlerësoi shumë këtë nisëm, duke thënë se Bashkia e Tiranës ka në dorë dhe do të jetë një aktor i rëndësishëm në stimulimin e sporteve dhe në krijimin e sa më shumë mundësive dhe hapesirave për të përfshirë sa më shumë njerëz në aktivitete të tilla.
“Më vjen shumë mirë që këto ambjente sportive i rikthehen fëmijëve, por edhe sportit këtu në Tiranë. Sepse ka kohë që ambjentet sportive janë nën sulm. I sulmon dhe i kafshon betoni. Së bashku do angazhohemi që të bëjmë një kundërsulm të fuqishëm të sportit ndaj betonit duke bërë ambjente sportive në çdo lagje të Tiranës, dhe duke i mundësuar çdo fëmije në Tiranë që të jetojë një jetë të shëndetshme sportive”, tha Basha.
Ata që kanë nevojë më shumë për sportin dhe e ardhmja e tij, janë fëmijët. Në Tiranë është bërë shumë e vështirë për ta që të kenë një lidhje dhe një perspektivë me sportin. Kjo situatë e vështirë është një nga sfidat e Lulzim Bashës dhe prioritet i programit të tij.
“Garat duhet të shikohen si një kontribut për përmirësimin e jetës. Unë jam i vendosur që këtë garë ta shikoj si një kontribut për përmirësimin e jetës në Tiranë dhe një aspekt shumë i rëndësishëm për përmirësimin e jetës, është sporti”, tha Basha.
Ideja e kësaj dite të hapur është që të përfshijë sa më shumë qytetarë në një kombinim mes profesionistëve dhe dashamirësve të sportit. Të rinjtë apo çdokush që ka interes në sporte të veçanta, mund të trajnohet në këtë aktivitet nga profesionistët e fushës.
Në këtë aktivitet morën pjesë sportistë me zë dhe të suksesshëm në disiplinat e tyre si, Klodiana Shala, Sahit Prizreni, apo Agustin Kola. Si kandidat për kryebashkiak, Lulzim Basha, mbetet një mbështetës i fortë i sportit në Tiranë, si alternative më e mirë për të rinjtë, në vend të qëndrimit në kafene, rrugë apo ambjente të tjera të papërshtatshme për ta.
Saturday, 09 April 2011 16:37