Liga e Kampionëve do të zhvillojë mbrëmjen e së mërkurës dy prej takimeve të tjera çerekfinale, Chelsea – Manchester United dhe Barcelona – Shahktar Donetsk.
Barcelona nuk pritet ta ketë aspak të vështirë këtë sfidë, duke marrë parasysh se eliminoi një ekip të fuqishëm si Arsenali në 1/8-tën e finales. Shqetësimi më i madh për trajnerin Pep Guardiola do të jetë fakti se ndeshja e dytë në udhëtim ndaj ekipit ukrainas vjen menjëherë para ndeshjes “El Clasico”, ndaj Real Madridit.
Edhe pse gjasat janë të pakta, ukrainasit mund të bëjnë edhe ndonjë befasi. Në fazën e grupeve ata dolën mbi Arsenalin, ndërsa eliminuan Romën duke mposhtur në të dyja ndeshjet në sfidën e 1/8-tës së finales. Nëse Shakhtar shënon gol në “Camp Nou” në ndeshjen e parë, ata mund të kenë ndonjë shans për ndeshjen e dytë.
Prapëseprapë, Barcelona është ekipi më i mirë në botë për momentin dhe gjasat janë shumë të vogla të eliminohet, aq më pak nga një ekip i pa përvojë në garën evropiane, si Shakhtar.
Sulmuesi i Barcelonës, Pedro, ka paralajmëruar shokët e tij të skuadrës se sfida ndaj Shaktarit nuk është e lehtë për t’u përballuar.
Ndërsa ylli argjentinas, Lionel Messi, ka theksuar se se sistemi i lojës që bëjnë katalanasit nxjerr më të mirën nga ai dhe kjo gjë do të vlejë edhe ndaj Shaktarit.
Wednesday, 06 April 2011 15:55