Tiranë – Ndërkohë që Vllaznia e Shkodrës udhëton në Tiranë, për t’u ndeshur me Dinamon, në gjysëmfinalen tjetër, Tirana sot udhëton në Kavajë, ku do të luajë në sfidën e sotme ndaj Besës, në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë.
Tirana synon sot me shanset për të shpëtuar gjithë sezonin, nisur edhe nga fakti se në kampionat kualifikimi për në kupat e Evropës është më shumë se një ëndërr.
Tirana arriti të fitojë takimin e parë me rezultatin minimal 1-0, falë autogolit të Bledar Mancakut, por në Kavajë pritet të ketë një përballje të fortë.
Edhe ardhja e trajnerit kroat Misho Krstiçeviç në krye të Tiranës nuk ka mundur të zgjidhë krizën e bardhebluve. Suksesi i vetëm i pasuesit të Sulejman Staroves dhe Nevil Dedes në pankinën bardheblu është eliminimi në çerekfinale i Bylis dhe kalimi midis katër më të mirave të edicionit të 58-të të Kupës së Shqipërisë.
Krstiçeviç, trajneri i gjashtë i huaj në 15 vitet e fundit te Tirana, tha se “një ecuri e mirë në Kupën e Shqipërisë e bën klimën të ndryshojë e të kthehet në normalitet. Po përpiqem ta mbaj skuadrën sa më të karikuar. Kupa është objektivi i vetëm që na ka mbetur për të shpëtuar sezonin dhe Tirana të hyjë në Ligën Evropiane”.
Ndërsa kapiteni i Tiranës, Andi Lila, beson se skuadra e tij (aktualisht në vendin e pestë në kampionat) do të fitojë Kupën e Shqipërisë.
Besa është fituesja në fuqi e Kupës, por Lila, një ish-lojtar i kavajasve, pranon se Tirana ndihet e favorizuar ndaj kundërshtarit.
“Na mban në lojë rezultati i ndeshjes së parë. Gjithsesi, do të mobilizohemi maksimalisht. Do të luajmë me theks sulmues. Do ta kërkojmë vazhdimisht golin”, tha Lila. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare shtoi se “do të doja të luaja në finale kundër Dinamos”.
Në fakt, në edicionin e kaluar, ishte Besa ajo që eliminoi Tiranën në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, me akuzat që ranë mbi portierin e bardhebluve, Blendi Nallbani.
Tirana e ka fituar kompeticionin 13 herë, ndërsa për herë të fundit Tirana e ka fituar në vitin 2006, pikërisht në një finale ndaj Vllaznisë. Tirana merr pjesë për herë të 32-të në gjysmefinale.
Besa, dy herë fituese e trofeut, është fituesja në fuqi e Kupës së Shqipërisë (fitoi ndaj Vllaznisë). Besa merr pjesë për herë të 12-të në gjysmëfinale.
Wednesday, 06 April 2011 07:48