Futbollisti i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, duket se do të jetë në qendër të shumë klubeve gjatë merkatos verore.
Tashmë në garë për Canën, përveç gjermanëve të Shalkes e Hamburgut, anglezëve të Boltonit dhe Aston Vilës dhe ekipeve elitare italiane si Lacio dhe Juventus, është shtuar edhe interesimi i klubit 7 herë kampion të Europës, Milan.
Lajmi bëhet i ditur nga faqja sportive italiane e specializuar për merkaton, “itasportpress.it”, e cila shkruan se “Lorik Cana, mesfushori i talentuar shqiptar, i ditëlindjes 83′, aktualisht tek Gallatasaraj, sipas informacioneve të fundit të merkatos ndiqet nga dy klube italiane. Milan dhe Lacio janë interesuar për 27 vjeçarin, ish-mesfushor i Sandërlend, që me klubin turk ka firmosur një kontratë deri në 2014-ën. Cana që këtë sezon në Turqi ka zhvilluar 21 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol, ka një vlerë në merkato rreth 10 milionë euro”.
Që prej momentit që ekipi turk i Gallatasarajit deklaroi se Lorik Cana do të jetë në shitje gjatë merkatos së ardhshme, në drejtim të tij nuk kanë reshtur ofertat.
Por, duket se pas takimit të ditës së shtunë të Shqipërisë ndaj Bjellorusisë ato janë shtuar akoma më shumë dhe pritet të jenë akoma më tepër në hapjen e merkatos verore.
Shuma e transferimit për Canën gjatë kësaj merkatoje verore pritet të shkojë nga 8 deri në 10 milionë euro dhe kudo që të jetë ndalesa e lojtarit kuq e zi, shuma që klubet duhet të paguajnë tek turqit e Gallatasaraj për ta pasur atë, do të jetë rekordi shqiptar i transferimeve, rekord që mbahet gjithnjë nga Cana, i cili gjatë merkatos së kaluar verore kaloi për shumën e 4.5 milionë eurove nga klubi anglez i Sandërlendit në drejtim të Gallatasarajit në Turqi.
Tuesday, 05 April 2011 06:58