Në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve të Evropës, sonte në “San Siro”, kampionët e botës dhe Evropës, italianët e Interit, do t’i presin gjermanët e Shalke 04. Zikaltrit vijnë në këtë sfidë me moral të ulët pas derbit të rëndësishëm për kampionatin italian, të humbur 3-0 ndaj Milanit dhe gjenden tashmë 5 pikë pas kuqezinjve.
Gjithsesi, sipas teknikut brazilian të Interit, Leonardo, ndaj Shalkes Interi do të reagojë. “Jemi më të fortë se më parë dhe përballë kemi një rival të fortë, por kjo skuadër ka treguar se di të reagojë pas çdo humbjeje dhe ndaj Shalkes do të vijë përgjigja e duhur”.
Për kundërshtarin gjerman, Leonardo shprehet se “në këtë fazë nuk ka më sekrete. Të gjithë dimë gjithçka për çdo kundërshtar. Shalke ka përballuar disa rivalë të fortë dhe ka triumfuar, duke treguar se ka shumë alternativa dhe ka gjetur gjithnjë mënyrën e duhur për të qenë e sukseshme në Evropë. Kanë shumë entuziazëm”.
Ndërsa për sulmuesin spanjoll të Shalkes, Raul, Leonardo theksoi se “Raul ka një histori të pabesushme. U largua nga Reali i Madridit ku shkëlqeu për shumë vite dhe zgjodhi një sfidë të re. Është simboli i suksesit të Shalkes”.
Ndërkohë, Leonardo konfirmoi argjentinasin Diego Milito për sfidën e nesërme, teksa Interi do të duhet të bëjë pa Lucion në mbrojtje, i pezulluar dhe pa Pazinin në sulm (nuk mund të aktivizohet në Champions).
Ndërkohë nga kampi gjerman vijnë lajme të mira për rikuperimin e sulmuesit holandez Klas Jan Huntelar. Ndërsa Raul, që është në kërkim të rekordit personal për numrin e golave të shënuar në Evropë, teksa është në kuotën e 70 golave, premton ta thyejë këtë rekord pikërisht në “San Siro” në shtëpinë e italianit të Milanit, Filipo Inzagi, i cili ndan këtë rekord me Raulin.
Tuesday, 05 April 2011 06:50