Tiranë – Xhudistja kosovare, që konkurron për Shqipërinë, Majlinda Kelmendi, nuk do të pranojë ofertën nga Azerbajxhani.
Vendi i dytë që arriti xhudistja kosovare në Kampionatin Botëror të Sofjes, bëri që në fund të janarit Federata e Xhudos së Azerbajxhanit të zyrtarizonte ofertën për të marrë shërbimet e nënkampiones së botës. Federata e Azerbajxhanit kishte ofruar 5000 euro në muaj për trajnerin Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendin.
Kampionia e xhudos do të qëndrojë në Kosovë dhe në Lojërat Olimpike “Londër 2012” do të përfaqësojë flamurin shqiptar.
Premtimi se do të gjendet formë për financimin e programit të saj olimpik e ka bindur 19-vjeçaren që të mos largohet.
Kelmendi dhe trajneri i saj kanë marrë garanci nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Memli Krasniqi. Megjithatë, mënyra sesi institucionet do të financojnë atë që cilësohet si një prej sportisteve më të mira shqiptare, ende nuk është përcaktuar.
“Ministri Krasniqi na ka premtuar se do të na ofrojë mbështetje financiare. Për formën se si do të financohet Majlinda kemi diskutuar shumë herë, por nuk kemi vendosur ende. Duke parë interesimin, Majlinda ka vendosur të vazhdojë të përfaqësojë Kosovën”, tha trajneri Kuka.
Kelmendi do të përfitojë më pak nga sa i ofronte Azerbajxhani, ndërsa fondet për programin e saj stërvitor do të sigurohen nga bizneset. Ndërkohë, Kelmendi është edhe një nga sportistet që përfiton nga bursa olimpike e dhënë nga Komiteti Olimpik Shqiptar (KOKSH), ku përfshihen 6 sportistë shqiptarë, të cilëve u financohet stërvitja për konkurrimet që të kualifikojnë në Lojërat Olimpikë “Londër 2012”.
Monday, 04 April 2011 12:01