Tiranë – Federata e Futbollit të Bosnje Hercegovinës është pezulluar nga të gjitha aktivitetet e FIFA-s dhe UEFA-s për një periudhë të papërcaktuar.
Vendimi është marrë pasi Asambleja e Përgjithshme e Federatës së futbollit të këtij vendi (FFBH/NSBiH) nuk përshtati statusin e saj sipas kërkesave të FIFA-s dhe UEFA-s.
Komitetet ekzekutive të këtyre dy organizmave drejtues të futbollit i kishin lënë afat FFBH/NSBiH deri në datën 31 mars 2011 dhe paraditen e sotme kanë zyrtarizuar pezullimin.
Përfaqësueset dhe klubet e Bosnje Hercegovinës nuk lejohen më të marrin pjesë në kompeticionet ndërkombëtare, duke filluar që nga dita e sotme (1 prill 2011) deri në një njoftim tjetër të FIFA-s.
Prej muajsh flitej se UEFA dhe FIFA mund të përjashtonin Federatën e Futbollit të Bosnjes, si pasojë e mosmiratimit prej saj të statutit të FIFA-s, që si pikë kryesore ka zgjedhjen e një presidenti, që të përfshijë të tri etnitë e popullsisë së saj, myslimanët, kroatët dhe serbët.
Ky pezullim do të thotë shumë për grupin D, ku bën pjesë edhe Shqipëria, pasi tashmë skenari në grupin D ndryshon disi, sepse Bosnja ende nuk ka zhvilluar 50% të takimeve eliminatore dhe të gjitha pikët që skuadrat kanë fituar ndaj saj deri tani, quhen zero.
Deri tani Bosnjes pikë i ka marrë vetëm Franca 3, pas fitores në Sarajevë dhe nga 12 do të zbresë në 9 pikë dhe Shqipëria, që ka arritur barazimin 1-1 në Tiranë dhe kështu nga 8 pikë, zbret në 7. Fitoret e Bosnjes ndaj Luksemburgut dhe Rumanisë nuk ndryshojnë asgjë në renditje. Gjithashtu Shqipëria tashmë do të ketë një rival më pak për renditjen në grup, por edhe një pikë më pak.
Ky skenar ka edhe një veçori tjetër, që i vjen në ndihmë kombëtares shqiptare, pasi Bjellorusisë do t’i hiqen nga kalendari dy ndeshjet me boshnjakët, po ashtu rumunëve do t’i hiqet ndeshja e kthimit në Bukuresht, ashtu si shqiptarëve ajo në Bosnjë-Hercegovinë më 7 qershor.
Në renditje, Bjellorusia ka tashmë 8 pikë, por vetëm 3 ndeshje për të luajtur, Shqipëria 7 pikë dhe 4 takime, ndërsa Rumania 5 pikë dhe po 4 takime. Përderisa takimin me rumunët do ta kemi në Tiranë, ky skenar e ndihmon Shqipërinë për të shkuar me lehtë drejt finaleve të Europianit që do të luhen vitin e ardhshëm.
Megjithatë ka ende dy muaj kohë deri në 7 qershor kur Shqipëria ka në kalendar ndeshjen me Bosnjen dhe deri atëherë FIFA dhe UEFA mund të kenë hequr pezullimin nëse Federata e Bosnjes do të ketë bërë ndryshimet e kërkuara në statut.
********************
Si pasojë e mosadaptimit të rregullores që përputhet me kërkesat minimale të FIFA-s dhe UEFA-s, dy institucionet më të larta të futbollit evropian dhe botëror kanë marrë vendim për të suspenduar Federatën e Futbollit të Bosnjës dhe Hercegovinës nga të gjitha garat ndërkombëtare.
Vendimi erdhi pas kuvendit gjeneral të Federatës Boshnjake të Futbollit, i cili u zhvillua në Sarajevë më 29 mars, e i cili nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për të adaptuar statutin e Federatës.
Vetëm 22 nga 54 delegatët e pranishëm votuan në favor të ndryshimit.
Me këtë vendim, Kombëtarja e Shqipërisë shton gjasat për pjesëmarrje në garat evropiane dhe përforcohet në tabelën e klasifikimit në vendin e dytë.
Friday, 01 April 2011 11:40