Tiranë – Superliga do të rikthehet nesër me 4 takimet e para të javës së 26-të të saj, pas pushimit njëjavor si pasojë e ndeshjes së kombëtares, të fituar 1-0 ndaj Bjellorusisë, për eliminatoret e Euro 2012.
Takimi që spikat më tepër ditën e nesërme është derbi Dinamo – Tirana, i cili këtë vit duket se do të vendosë se cila prej këtyre dy ekipeve mund të synojë të arrijë një vend në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm, të paktën me anë të kampionatit, pasi ende të dyja skuadrat vijojnë rrugën e tyre në Kupë.
Derbi Dinamo-Tirana është i vetmi i kryeqytetit këtë sezon, nisur edhe nga fakti që Partizani ndodhet në Kategorinë e Parë.
Në dy ndeshjet e para të këtij sezoni: derbi i fazës së parë u mbyll në barazim 1-1 (në debutimin e Nevil Dedes si trajner i bardhebluve), ndërkohë që ai i fazës së dyte u mbyll me fitoren 2-1 të Tiranës, vetëm gjashtë dite përpara se Dede të jepte dorëheqjen nga bardhelutë pas barazimit 0-0 me Besën.
Në bankinën e Dinamos, në ndeshjen e parë ishte argjentinasi Luis Manuel Blanko, ndërsa në atë të fazës së dyte ishte Ilir Daja, që të dy të shkarkuar nga presidenti i bluve, Besnik Sulaj.
Në derbin e tretë sezonal do të kemi një duel të ri bankinash: Artan Mergjyshi i Dinamos me Misho Krstiçeviç të Tiranës.
Pas shtatë javësh kampionat, nga derbi i kaluar me Dinamon, (java 18), Tirana rigjeti fitoren: 1-0 ndaj Shkumbinit, në debutimin e trajnerit të ri të peqinasve, Kristaq Miles.
Autori i golit ishte Jahmir Hyka, goli i parë me fanellën e Tiranës në 8 javët e vitit 2011 i mesfushori të kombëtares shqiptare. Ky gol përkoi edhe me fitoren e parë në bankinë të trajnerit kroat të bardhbluve, Misho Krsticeviç (duke përjashtuar atë 5-1 kundër Bylis në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë).
Kategoria Superiore, java e 26-të
Të premten, 1 prill
Dinamo – Tirana (16:00)
Laçi – Elbasani (16:00)
Besa – Bylis (16:00)
Shkumbini – Vllaznia (16:00)
Të shtunën, 2 prill
Teuta – Flamurtari (16:00)
Kastrioti – Skënderbeu (16:00)
Renditja e Kategorisë Superiore
Nr. Skuadra N F B H Gsh-Gp Pikë
1. Flamurtari 25 18 1 6 49-17 55
2. Skënderbeu 25 16 4 5 38-20 52
3. Vllaznia 25 12 8 5 28-18 44
4. Laçi 25 12 4 9 34-27 40
5. Tirana 25 9 10 6 29-21 37
6. Dinamo 25 10 6 9 37-32 36
7. Kastrioti 25 7 9 9 26-33 30
8. Shkumbini 25 8 5 12 33-42 29
9. Teuta 25 7 7 11 22-28 28
10. Bylis 25 8 3 14 33-43 27
11. Besa 25 5 8 12 19-33 23
12. Elbasani 25 4 3 18 23-57 12(-3)
Thursday, 31 March 2011 17:00