Tiranë – Paraqitja mjaft e mirë e futbollistëve të kombëtares shqiptare mbrëmjen e së shtunës ndaj Bjellorusisë, ka bërë që drejt tyre të vijnë oferta konkrete e serioze nga disa klube me rëndësi në kampionatet evropiane.
Agjentët e klubeve që gjendeshin në shkallët e “Qemal Stafës” të shtunën, por edhe të tjerë kanë kontaktuar menjëherë pas takimin me menaxherë te disa prej lojtarëve shqiptarë.
Në ndeshjen kualifikuese të Euro 2012, Shqipëri-Bjellorusi (1-0), ka pasur menaxherë nga Turqia, Franca, Gjermania apo Rumania dhe ndër lojtarët shqiptarë, që është shfaqur më tepër interes, kanë qenë mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila, mbrojtësi i Arisit të Selanikut, Kristi Vangjeli, si dhe lojtari i Gallatasarajit, Lorik Cana.
Në fakt, për Andi Lilën, që pas paraqitjes mjaft të mirë ndaj Bjellorusisë (e disata me fanelën kuq e zi për mbrojtësin kavajas) ka pasur oferta nga disa klube evropiane drejt Tiranës.
Nëse deri përpara takimit me Bjellorusinë për Lilën dukej e arritur marrëveshja e një kalimi drej Dinamos së Bukureshtit në Rumani për sezonin e ardhshëm, tashmë ofertat për mbrojtësin bardheblu kanë ardhur nga kampionate më prestigjoze si Seria A italiane, apo Bundesliga gjermane. Ndërkohë që nuk kanë munguar oferta edhe nga menaxherët e klubit turk Sivaspor si dhe nga skuadra të kampionatit holandez. Të gjitha këto oferta janë konfirmuar edhe nga drejtuesit e klubit të Tiranës. Lila mbaron kontratën me kryeqytetasit e do të jetë i lirë të shkojë ku të dëshirojë. Për bardheblutë do të jetë një humbje e madhe pasi ai është një nga më të mirët e skuadrës dhe kampionatit shqiptar.
Ndërkohë, për mbrojtësin inteligjent të Aris Selanikut, Kristi Vangjeli, ka pasur interesim nga Bundesliga gjermane, por dhe nga Italia. Për Vangjelin më parë ka pasur interesim nga dy skuadra gjermane si Fraiburgu dhe Këlni, të cilave tashmë, pas paraqitjes së korçarit ndaj Bjellorusisë, u është shtuar edhe konkurrenca e disa klubeve të Serisë A italiane.
Ndërsa për njërin prej lidereve të skuadrës kombëtare, Lorik Cana, lista e skuadrave të interesuara për të është shtuar akoma më shumë pas ndjeshjes me bjellorusët. Tashmë në garë për të, pëveç gjermanëve të Shalkes, anglezëve të Boltonit dhe Aston Vilës, janë edhe dy ekipet elitare italiane si Lacio dhe Juventus.
Shuma e transferimit për Canën gjatë kësaj merkatoje verore pritet të shkojë nga 8 deri në 10 milionë euro dhe kudo që të jetë ndalesa e lojtarit kuq e zi, shuma që klubet duhet të paguajnë tek turqit e Gallatasaraj për ta pasur atë, do të jetë rekordi shqiptar i transferimeve.
Tuesday, 29 March 2011 13:11