Tiranë – Mesfushori i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, gjithnjë e më shumë duket se do të largohet nga ekipi turk i Gallatasarajit sezonin e ardhshëm, kjo edhe pas largimit të trajnerit rumun George Haxhi, me të cilin Cana kishte marrëdhënie të mira.
Sipas mediave franceze, Cana mund të ndryshojë sërish destinacion gjatë karrierës së tij. Gjatë javëve të fundit, ka pasur interesime reale për Lorik Canën: në Gjermani, Itali, por dhe ne Angli. Edhe Agim Cana, babai dhe menaxheri i Lorikut, e ka pranuar disa here se djali i tij është gjithmonë e me larg Gallatasarajit, i cili gjatë merkatos së janarit refuzoi ofertat e Aston Vilës, Boltonit dhe Fulhamit që tentuan të blejnë kartonin e mesfushorit të kombëtares shqiptare.
Tani, për Canën sinjalet më të forta nga merkato kanë mberritur nga Lazio, atje ku drejtor sportiv është një tjetër shqiptar, Igli Tare, i njohur si mik i ngushtë i Lorik Canës. Të dy kanë luajtur së bashku me kombëtaren e Shqipërisë dhe për një kalim të Canës tek Lacio u fol që në merkaton verës, por asgjë nuk u konkretizua
Lazio, aktualisht mban vendin e pestë në kampionatin italian dhe dëshiron të forcohet në rast të një kualfikimi në Ligën e Kampioneve, apo në Ligën Evropiane sezonin e ardhshëm, 27-vjeçari Lorik Cana duket një opsion real. Gazeta italiane “Il Tempo” e konsideron një fakt të kryer kalimin e Canës në Itali.
Brenda tre viteve te fundit, Cana ka luajtur për 3 skuadra të ndryshme. Në sezonin 2007-2008 ai ishte kapiteni i Olimpikut të Marsejës në Francë. Në sezonin pasardhës mbante shiritin e kapitenit tek Sanderlend në Angli dhe sezonin aktual luajti në Turqi tek Gallatasaraj.
Përveç Lacios, për Canën ofertë konkrete kanë bërë edhe gjermanët e Shalkes, ndërsa për të janë interesuar edhe anglezët e Boltonit, prandaj merkatoja verore pritet të jetë mjaft e nxehtë për lojtarin e kombëtares shqiptare.
Monday, 28 March 2011 20:53