Tiranë – Kombëtarja shqiptare zhvilloi dje ditën e tretë të stërvitjes, në kuadër të sfidë të së shtunës në mbrëmje ndaj Bjellorusisë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, e vlefshme për eliminatoret e kampionatit evropian, Euro 2012, që do të mbahet në Poloni dhe Ukrainë.
Kur duhen edhe tre dite për të ardhur e shtuna, trajneri Josip Kuzhe ka filluar të qartësojë idetë për formacionin titullar, që do të hedhë në fushë kundër Bjellorusisë.
Gjatë stërvitjeve të fundit si edhe pas miqësores së fituar dje 7-1 ndaj Olimpikut (golat mbajnë firmat e Hamdi Salihit (3) dhe Erjon Bogdanit, Jahmir Hykës, Emiljano Vilës dhe Shimës, autogol), duket se kroati ka vendosur për një skemë me dy sulmues dhe me një mesfushë me dy fantazistë.
Sipas burimeve nga ekipi kombëtar, 11 lojtarët që kroati futi në lojë kundër Olimpikut në Kavajë, me shumë mundësi do të jenë titullarë.
Kështu në portë pritet të rikthehet Arjan Beqaj pas dëmtimit, që duket se ka fituar balotazhin me Saimir Ujkanin.
Në mbrojtje do të jetë mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila në krahun e djathtë, që do të zëvendësojë të pezulluarin Armend Dallku. Në krahun e majtë pritet të luajë mbrojtësi i Qarabagh në Azerbajxhan, Ansi Agolli, duke lënë në stol Kristi Vangjelin e Arisit të Selanikut.
Lorik Cana dhe Elvin Beqiri pritet të formojnë dyshen e qendrës, me shkodranin që do të zëvendësojë të dëmtuarin Debatik Curri.
Mesfusha pritet të ketë dy lojtarë me tipare mbrojtës në qendër të saj si Altin Lala i Hanoverit dhe Ervin Bulku i Hajdukut të Splitit. Ndërsa nga krahët pritet të veprojnë Ervin Skela, që ka nisur të luajë me polakët e Arka Gdynia dhe Elis Bakaj i Dinamos së Bukureshtit, i cili mund të lërë në stol mesfushorin Klodian Duro.
Ndërkohë sulmuesi i Çezenës në Itali, Erjon Bogdani, pritet të ketë në krah bomberin shkodran të Rapidit të Vjenës në Austri, Hamdi Salihin.
Thursday, 24 March 2011 08:24