Tiranë – Kombëtarja shqiptare e futbollit i drejtohet takimit të pestë në radhë në grupin eleminator të Kampionatit Europian 2012, duke mos njohur fitore në asnjë prej takimeve të pesta në radhë të zhvilluara në fushatat e kaluara eliminatore.
Statistikat: Kur Shqipëria luan takimin e 5-të në grup në 70 % të rasteve ka njohur humbje dhe vetëm në dy ndeshje ka dalë barazim.
Në 11 vitet e fundit që nga eliminatoret e Botërorit 1998 të zhvilluar në Francë, kur Shqpëria pas 4 përballjeve të para barazoi një takim dhe humbi 3, vijoi një humbje 2-3 në Granada të Spanjës me Gjermaninë, në kohën kur trajner i kombëtares ishte Hafizi. Në Euro 2000, kishim 3 barazime dhe vetëm një humbje, por humbëm 1-2 në Tiranë me Norvegjinë, sërish me trajner Hafizin.
Në Botërorin 2002 shkuam në Iraklion të Kretës në Greqi pasi kishim arritur një fitore dhe 3 humbje. Në ishull humbëm 0-1 dhe trajner ishte Medin Zhega. Në Euro 2004, me trajner Brigelin, Shqipëria pati një fitore, dy barazime e një humbje, ndërsa humbi 1-2 në Dublin me Irlandën, pas një ndeshjeje shumë të mirë dhe me barazimin të lëshuar nga duart në minutën e fundit me autogol të Adrian Aliajt.
Në fushatën eliminatore të Botërorit gjerman 2006, pas dy fitoreve dhe dy humbjeve, u mundëm 0-2 në “Qemal Stafa” me Ukrainën, me në krye Brigelin.
Në Euro 2008, me Bariçin, arritëm fillimisht 2 barazime dhe dy humbje, e më pas erdhi barazimi 0-0 në Sofie përballë Bullgarisë. Kjo ishte hera e parë kur ndeshja numër 5 ishte barazim. Por nuk mund të thuhet kështu për barazimin e vjetshëm po 0-0 në Maltë me trajner Ari Hanin.
I fundit rast kur Shqipëria ka fituar ndeshjen e pestë në radhë në eleminatoret e një turneu të madh ka qenë në Euro 1996, kur në Tiranë u mposht Moldavia 3-0 dhe golat i shënonin Sokol Kushta dy herë dhe Salvador Kaçar. Ajo ditë ishte 29 e marsi, këtë herë ndaj bjellorusëve luajmë 3 ditë më herët, më 26.
Tuesday, 22 March 2011 19:19