Tiranë – “Ndeshja më e rëndësishme e sezonit”, cilësohet nga futbollistët e kombëtares shqiptare sfida e 26 marsit kundër Bjellorusissë për eliminatoret e Euro 2012, që do të zhvillohet në “Qemal Stafa”.
Lojtarët kuqezi shprehen se do të japin maksimumin për të fituar, ndërsa suksesi përpara tifozërisë shqiptare do të jetë një revansh për humbjen në ndeshjen e parë të luajtur në Minsk.
Në konferencën e sotme për shtyp dolën tre lojtarë, që historinë e tyre në kampionatin shqiptar e kanë lidhur me skuadrën e Tiranës.
Mbrojtësi i krahut të majtë të kombetares shqiptare, dhe ish-lojtari i Tiranës, Ansi Agolli, theksoi në konferencën e sotme për shtyp, se “kjo është sfida më e vështirë për ne pasi kemi një kundërshtar shumë të fortë përballë, të cilët nuk kanë humbur asnjë ndeshje deri tani. Megjithatë ne jemi të vendosur për fitore sepse vetëm fitorja na jep shpresa për një kualifikim. Besoj se me mbeshtetjen e tifozëve do t’ia arrijmë qëllimit tonë final, fitores”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila. “Është ndeshja më e rëndësishme e sezonit, shpresojmë që të dalim sa më mirë. Nuk është e rëndësishme nëse Lila luan në krah të djathtë ose në qendër. E rëndësishme është që të fitojë ekipi kombëtar. Në “Qemal Stafa” çdo skuadër e huaj ka pasur probleme. Them që dhe me Bjellorusinë të dalim me sukses”, tha Andi Lila.
Ndërsa mesfushori tjetër i Tiranës, Jahmir Hyka, e vuri theksin tek rëndësia që ka kjo sfidë për vijimin e këtyre eliminatoreve. “Për mua është ndeshja më e vështirë për ne, sepse luajmë në fushën tonë dhe jemi në presion. Duhet të fitojmë ndeshjen kundra Bjellorusisë, që është kundërshtare direkt për ne. Do jetë e vështirë, po kam besim te kombëtarja jonë”, u shpreh Jahmir Hyka, mesfushor i kombëtares.
SFIDA E MUNGESAVE TIRANË
Ndeshja e së shtunës midis Shqipërisë dhe Bjellorusisë, e vlefshme për grupin D të Eliminatoreve të Evropianit 2012, i gjen të dyja skuadrat me mungesa për shkak të dëmtimeve apo kartonëve.
Kështu, skuadra mike, e drejtuar nga trajneri Berd Stange, do të udhëtojë pa dy lojtarë të rëndësishëm drejt Tiranës, pasi mediat bjelloruse kanë njoftuar se portieri titullar Juri Zhevnov dhe sulmuesi Vitali Kutuzov nuk do të jenë pjesë e ekipit.
Zhevnov, i cili aktivizohet te Zeniti i Shën Peterburg, u dëmtua në ndeshjen e kthimit të turit të 16-shes së Ligës së Evropës ndaj Tvente Enshedes dhe me gjasa do të mungojë të paktën dhjetë ditë. Po ashtu, edhe sulmuesi i Barit në kampionatin italian, Kutuzov, nuk ka mundur të rikuperohet nga dëmtimi.
Në vend të tyre, trajneri ka grumbulluar dy lojtarë të rinj: Artem Gomelkon e Lokomotivës së Moskës dhe Pavel Nekhaiçikun e BATE Borisovit. Që të dy këta futbollistë grumbullohen për herë të parë me ekipin përfaqësues.
Ndërkaq, Stange nuk do ketë as shërbimet e mbrojtësit të talentuar Denis Poljakov, i cili është marrë nga trajneri i U-21, Georgi Kondratjev, për ndeshjet miqësore ndaj Republikës Çeke dhe Spanjës.
Nga ana tjetër, edhe trajneri i Kombëtares kuqezi, Josip Kuzhe, do të ketë dy mungesa të rëndësishme, siç janë mbrojtësit Debatik Curri, i dëmtuar, dhe Armend Dallku, i pezulluar për shkak të kartonëve. Ndërkaq, dëmtim ka pësuar edhe kapiteni Altin Lala, që ka premtuar gjithsesi të luajë ndaj Bjellorusisë, ndërsa Ervin Skela ende nuk është në 100 % të kapacitetit të tij fizik.
Tuesday, 22 March 2011 11:02