Loja e futbollit dhuron emocionet më të forta të saj, kur topi i afrohet portës. Sulmuesit janë lojtarët që vlerësohen më shumë dhe në qendër të vëmendjes, pikërisht sepse shënojnë gol.
Por, “kundërshtarët e tyre më të egër”, portierët, janë mbrojtja e fundit e çdo ekipi. Janë siguria e skuadrës dhe tifozëve. Pa një portier në gjendje të mirë, asnjë ekip s’mund të fitojë sado i mirë të jetë në sulm.
1. Lev Jashin (Ish-Bashkimi Sovjetik)
Jashin është i vetmi portier që ka fituar ndonjëherë Topin e Artë në vitin 1963. I quajtur “Merimanga e Zezë” për shkak të veshjes së tij të zezë dhe pasi dukej me tetë gjymtyrë, rusi shpiku edhe konceptin e portierit si mbrojtës të fundit. Në ditët kur portierët nuk mbroheshin nga gjyqtarët, ashtu siç janë sot, guximi dhe akrobacia e Jashinit ishin legjendare. 207 takime pa pësuar gol dhe 150 penallti të pritura, që ai i bëri në 22 vitet e karrierës, nuk kanë nevojë për histori. Tani portierit më të mirë në secilën Kupë Bote i jepet çmimi “Jashin”.
2. Dino Xof (Itali)
Xof është një prej dy portierëve që ka ngritur Kupën e Botës si kapiten, kur ndihmoi Italinë për të fituar kurorën e tretë në vitin 1982. Ai ishte pothuajse 40 vjeç atëherë, duke u bërë edhe kapiteni më i vjetër që fiton një Kupë Bote. Por arritjet e Xofit gjakftohtë nuk mbarojnë këtu. Ai mban rekordin e kohëzgjatjes më të madhe pa pësuar gol në turnetë ndërkombëtarë me 1.142 minuta, të vendosur mes viteve 1972-1974. Me 112 pjesëmarrjet me kombëtaren renditet i treti në listën e “të kaltërve”. Një e vërtetë e madhe.
3. Gordon Benks (Angli)
“Çfarë pritje”, kështu vazhdon komenti kur kujtohet një nga pritjet më të mira ndonjëherë të futbollit në botë. Pele ishte i sigurt se do të shënonte pas një krosi të Jairzinjos, duke gjuajtur fuqishëm me kokë në trekëndëshin e majtë në atë fitore 1-0 të Brazilit ndaj Anglisë në Botërorin e 1970. Por në një farë mënyre Benks me një hedhje të mrekullueshme shtyn topin mbi traversë. Benksin mund ta ketë bërë të pavdekshëm kjo pritje, por mungesa për shkak të sëmundjes në çerekfinalen ndaj Gjermanisë Perëndimore, bëri që zëvendësuesi i tij, Piter Boneti, u bë “kokë turku” për eliminimin e kampionëve në fuqi.
4. Piter Shmaikel (Danimarkë)
Shmaikel do të kujtohet si blerja më e mirë Mançester Junaited të Sër Aleks Ferguson që justifikoi çdo paund të shpenzuar. I blerë për 750 mijë dollarë në 1991, Shmaikel do t’i siguronte Mançesterit plotësisht se çfarë i duhet një portieri të klasit botëror, përfshi edhe aftësinë për të nisur topin në një kundërsulm. Ai fitoi Europianin e 1992 me Danimarkën dhe tripletën me Junaited në 1999, përfshi edhe 13 gola të shënuar, të cilat nuk duheshin lënë pa përmendur.
5. Edvin van der Sar (Holandë)
Në moshën 39-vjeçare Van der Sar është në perëndimin e karrierës së tij, por çfarë karrierë ka qenë? Djaloshi nga Vorhot mban rekordin e përfaqësimeve me kombëtaren holandeze, ka fituar Ligën e Kampioneve dy herë dhe është në rrugën e duhur për të fituar një Premier Ligë të tretë me Mançester Junaited. Gjithçka që ju bën të mendoheni është pse ai shpenzoi një kohë aq të gjatë tek Fulhemi? Tifozët e Junaited do të kishin dëshirë ta kishin pasur Van der Sarin shumë para vitit 2005 ai ka dëshmuar që ka qenë zëvendësuesi ideal i Shmaikel.
6. Iker Kasijas (Spanjë)
Është e lehtë të marrësh dhe të analizosh shkëlqimin e Kasijas, por duke u kthyer prapa në kohë dhe duke bërë një përshkrim të karrierës së tij është e qartë që ai është që tani një prej më të mëdhenjve. Reali i Madridit ka qenë gjithmonë i aftë për të joshur më të mirin, ata kanë përzgjedhur Kasijas si numrin 1 që prej vitit 1999, kur ai ishte ende një adoleshent.
Akoma 29 vjeç, Kasijas ka një kontratë me klubin deri në 2017. Ai ka fituar tashmë dy Liga Kampionesh dhe pesë tituj të La Ligës. Në nivel ndërkombëtar ai ka qenë kapiten i Spanjës Kampione Bote në 2010 dhe asaj Kampione Europe në 2008, duke u bërë portieri i parë që e bën këtë gjë. Trashëgimia e Rikardo Zamorës duket në duar të sigurta.
7. Pat Xhenings (Irlandë e Veriut)
Xhenings filloi karrierën disi vonë dhe nuk kishte bërë ende një emër i famshëm në vitet e para të tij. Karriera e tij ndërkombëtare u shtri në një rekord: mori pjesë në 2 Kupa Bote, duke përfshirë edhe fushatën eliminatore të tyre përgjatë 22 viteve. Në atë kohë ai hoqi dorë nga tërheqja përfundimtare nga futbolli për të luajtur në Botërorin, Meksikë 86, ai ishte 41 vjeç dhe e mbylli me 119 pjesëmarrje me përfaqësuesen. Ai luajti për më shumë se 1000 ndeshje, duke përfshirë edhe ato me Arsenalin dhe Totenhemin. Duart e tij të mëdha ishin firma e tij dhe mallkimi i shumë sulmuesve.
8. Xhanluixhi Bufon (Itali)
Bufon rivalizon me Kasijas dhe Petr Çeh për të qenë portieri më i mirë për momentin, por në një vend me një traditë të gjatë në këtë fushë, numri 1 i Bufonit krahasohet me më të mirët. Fitimi i Çmimit “Lev Jashin” në vitin 2006 ishte përgjigja më e mirë për kritikët, pas rënies dramatike të Juventusit për shkak të “Kalçiopolit”. Bufon, një figurë karizmatike pa dyshime për dobësi, ka qenë besnik me “Zonjën e vjetër”, gjë kjo që e bëri portierin më të shtrenjtë në 2001 kur Parmës iu paguan 46.2 milion dollarë për të. Ai ia ka vlejtur çdo cent.
9. Hoze Luiz Çilavert (Paraguai)
Në rast se ka diçka që nuk pritet nga një portier, përveçse të bëjë ndonjë gabim, është të shënojë gol. Në karrierën e tij Çilavert ka prekur rrjetën e kundërshtarit me top jo më pak se 62 herë, duke përfshirë edhe 8 gola për kombëtaren paraguajane. Braziliani Roxherio Ceni mund ta ketë kaluar këtë rezultat dhe Rëne Higuita i Kolumbisë mund të ketë qenë një pritës i mirë, por Çilavert është pionieri i goditjeve të dënimit dhe penalltive, të cilat e kanë bërë një legjendë.
10.Mohamed Al-Daeia (Arabia Saudite)
Portierët janë të njohur për jetëgjatësinë e tyre dhe aftësinë për të performuar deri në të 40-at. Kjo e bën Al Daeian një të ri në moshën 36 vjeçare, por sauditi mban rekordin e numrit të pjesëmarrjeve ndërkombëtare. Një karrierë mbi 16 vjeçare për portierin e Lindjes së Mesme. Ai arriti shifrën e pabesueshme të 181 pjesëmarrjeve me përfaqësuesen. E ka nisur karrierën duke luajtur hendboll, Al Daeia luajti për tre Kupa Bote dhe ishte edhe në momentin kur Gjermania i shënoi 8 herë në vitin 2002.
Sunday, 20 March 2011 11:00