Tiranë – Aldi Haxhia shihet nga specialistët e futbollit shqiptar si e ardhmja e portës kuqezi. Gardiani 19-vjeçar, që aktivzohet në radhët e të rinjve të ekipit gjigand anglez, Chelseat, është grumbulluar së fundmi edhe nga trajneri i ekipit kombëtar U-21, Artan Bushati, i cili beson shumë tek aftësitë e talentit shqiptar të portës.
Haxhia do të ketë shansin të tregojë aftësitë e tij në turneun 9-ditor që “Shpresat” shqiptare do të zhvillojnë në Slloveni dhe Austri, ku ka edhe plot talente të tjera, kryesisht nga Kosova, që premtojnë dhe do të provohen për të ardhmen.
Eksperienca tek një prej skuadrave më të mira ne botë, e ka bërë Haxhian një kandidat potencial për të marrë në dorë “çelësat” e portës së kombëtares shqiptare të futbollit.
Pas Arjan Beqajt (35 vjeç) dhe Saimir Ujkanit (22 vjeç), Aldi Haxhia (19 vjeç), mund të jetë një investim i mirë për katërkëndorin kuqezi. Porta shqiptar mund të ketë një tjetër gardian të talentuar e sërish nga Kosova.
Djaloshi i lindur në Mitrovicë (22 dhjetor 1991), që nga viti 2006, kur ai ishte vetëm 12 vjeç, po formohet në Akademinë e një prej klubeve më të mëdhenj në Angli, tek Celsi i miliarderit rus, Roman Abramoviç.
Në atë kohë prania e Haxhiajt tek Çelsi u mirëprit edhe nga trajneri portugez, Jose Mourinho, i cili sipas mediave britanike e shihte Haxhiajn si të ardhmen e portës së britanikëve.
Haxhia e ka treguar veten si një portier me personalitet edhe pse në moshë të re, duke luajtur rregullisht për Çelsi U-16. Ai ka luajtur si i huazuar edhe me Aston Villën dhe Bristol City. Aldi Haxhia ka qenë edhe për testime me Panionos në Greqi.
Sipas faqes angleze “TheChels.info”, “Haxhia ka një shtatlartësi mbi mesataren”. Aldi në maj të vitit 2010 u thirr për ekipin U-21 të Shqipërise për miqësoren kundër Polonisë në Fier.
Saturday, 19 March 2011 17:13