Tiranë – Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, është pranë rinovimit të kontratës me skuadrën ku aktiviziohet në Serinë A, Çezenën.
Por, ky rinovim mund të vijë vetëm në rast se Çezena do të mund të sigurojë mbijetesën në Serinë A.
Këtë lajm e ka konfirmuar edhe drejtori teknik i skuadrës romanjole, Lorenco Minoti, i cili ka folur në lidhje me situatën aktuale të klubit, por edhe planet për të ardhmen.
Sipas tij, në momentin që po flasim, kontrata e sulmuesit shqiptar, e cila si rregull skadon më 30 qershor 2011, është rinovuar automatikisht.
“Kontrata e Bogdanit është rinovuar automatikisht, (pasi ripërtëritja e saj ishte e lidhur me një klauzolë për një minimum ndeshjesh aktivizim), por edhe për këtë do ta diskutojmë në fund të sezonit”, është shprehur drejtori Minoti.
Në fakt situata tek Çezena ka ndryshuar shumë pas 4 ndeshjeve të fundit. Më 13 shkurt i tërë stadiumi thërriste duke kërkuar shkarkimin e trajnerit Masimo Fikadenti. Por që nga ai moment, gjithçka te Çezena është krejt ndryshe. Në Parmë skuadra bardhezi barazoi, mori një fitore të rëndësishme në shtëpinë e Sampdorias dhe më pas në fushën e saj barazoi 2-2 në një ndeshje me shumë tension ndaj Juventusit.
Në total, në 4 ndeshje Çezena ka shënuar 8 gola. Por, mes këtyre golave asnjë i realizuar nga sulmuesit, të cilët konsiderohen dhe problemi real i kësaj Çezene.
Edhe sulmuesi shqiptar nuk po gjen dot rrugën e golit, megjithëse i ka dhënë një ndihmë të madhe skuadrës: Bogdani nuk shënon që nga 30 janari, kur ka realizuar edhe golin e fundit në barazimin 1-1 ndaj Leçes në minutat shtesë. Por me një skuadër në formë, besohet se shumë shpejt do të ketë rastin e duhur për ta çuar topin në rrjetë.
Bogdani në 22 javë ka shënuar 6 gola të rëndë, që kanë sjellë 8 pikë. Megjithatë sulmuesi shqiptar vlerësohet te Çezena për punën e palodhur që bën vazhdimisht në ndihmë të skuadrës.
Wednesday, 16 March 2011 12:31