Ish-kampioni i botës në peshën e rëndë, Evander Holyfield, për pak i ka shpëtuar një humbjeje turpëruese të shtunën mbrëma, në West Virginia të SHBA-së.
Lufta mes Holyfieldit 48-vjeçar dhe boksierit nga Bahamet, Sherman Williams (38) përfundoi pa fitues në raundin e tretë, për shkak të një dëmtimi në arkadën e majtë që mori Holyfieldi pas një goditjeje aksidentale me kokë. Dueli ishte i vlefshëm për titullin pak të njohur WBF.
“Shumë jam i zhgënjyer që përfundoi meçi në këtë mënyrë. Por gjërat e tilla ndodhin në botën e boksit. Jeta vazhdon”, ka thënë Holyfield, raportojnë mediumet amerikane të dielën.
Për Holyfieldin kjo ishte përballja e 56-të në karrierën e tij në boksin profesionist. Ai ka bilanc prej 43 fitoreve (28 KO), 10 humbjeve e dy barazimesh.
Boksieri nga Bahamet, Williams ka vlerësuar se është dashur të fitonte përballjen me Holyfieldin me nokaut. Por ai prapë ka treguar respekt të madh për legjendën e kategorisë së rëndë.
“Është dashur të më regjistrohej fitore me nokaut, por ky ishte vendimi i jurisë. Unë jam adhurues i Holyfieldit dhe e respektoj shumë. Është gati 50 vjeç dhe ende bokson.
Ai ka arritur shumë, por ka ardhur koha që të rinjtë të boksojnë dhe të vjetrit të komentojnë në televizion”, ka thënë Williams.
Holyfield është duke synuar që të bëhet kampioni më i vjetër i botës në peshën e rëndë të boksit.
Përballja e ardhshme e Holyfieldit do të jetë më 5 mars ku do të ndeshet me danezin Brian Nilsen. Lufta do të jetë e vlefshme për titullin WBF, ndërsa do të mbahet në Kopenhagë të Danimarkës.
Tuesday, 15 March 2011 14:42