Trajneri i Bayernit, Pep Guardiola, ka thënë se skuadra e tij nuk ishte perfekte aq sa të siguronte një rezultat pozitiv ndaj Arsenalit të martën në Ligën e Kampionëve.
Kampioni gjerman u mposht pas 12 fitoreve rresht me rezultat 2 me 0 në Emirates, pas golave të vonshëm të Olivier Giroudit dhe Mesut Ozilit, që shënuan për fitoren e parë të “Topçinjve”.
Pavarësisht humbjes, Guardiola thotë se është i lumtur me performancën dhe ka uruar skuadrën e Arsene Wengerit për fitoren.
“Ishte ndeshje e mirë. Nuk ua lamë topin shumë, u munduam të dominojmë, patëm shanse për të fituar ndeshjen, por urime Arsenalit për fitoren dhe do të takohemi sërish në Evropë. Në Ligën e Kampionëve duhet të jeni të përsosur në çdo aspekt. Ka shumë pjesë në të cilat sot nuk ishim”, ka thënë Guardiola për reporterët pas ndeshjes.
Bayerni mban pozitën e parë në Grupin F me 6 pikë, aq sa ka edhe Olympiacosi. Arsenali dhe Dinamo e Zagrebit kanë nga tri.
Wednesday, 21 October 2015 08:45