Diego Armando Maradona mund të vijë për herë të parë në Shqipëri, bën të ditur Panorama Sport.
Legjenda argjentinase pritet që të jetë në Shkodër në momentin kur të inaugurohet përfundimi i punimeve në stadiumin “Loro Boriçi”.
Sipas gazetës, lajmi ende nuk është zyrtar, por nga sa mësohet kanë nisur kontaktet me Maradonan dhe me shumë mundësi mundet që të vijë në Shkodër.
Në fakt është një shkodran që po përpiqet që ta mundësojë ardhjen e një prej lojtarëve më të famshëm të të gjitha kohërave.
Është fjala për menaxherin Arjan Curri, një shkodran i cili qe 21 vjet jeton dhe punon në Angli. Falë lidhjeve që ka, ai ka nisur kontaktet dhe shumë shpejt pritet që të marrë edhe një përgjigje pozitive.
Curri thuhet se është një prej miqve të Maradonas dhe falë lidhjes së tij miqësore, do të përpiqet që ardhja e argjentinasit në Shkodër të bëhet realitet.
Tuesday, 20 October 2015 18:35