Kampionët e Shqipërisë, lojtarët e Skënderbeut, kanë lënë pas shpine barazimin me Teutën dhe janë përqendruar tashmë në sfidën e radhës, ajo që do të luhet të enjten në mbrëmje në Lisbonë, përballë Sportingut.
Në stadiumin “Jose Alvalade”, bardhekuqtë do të kërkojnë të surprizojnë dhe të marrin pikën e parë në Europa Ligë. Ndeshja e vlefshme për turin e tretë të grupit H është vendimtare për tanët, të cilët kanë humbur dy takimet e para, 1-0 ndaj Beshiktashit dhe 2-0 ndaj Lokomotivës së Moskës.
Korçarët kërkojnë të përfitojnë edhe nga fakti se Sportingu i Lisbonës është fokusuar tërësisht në kampionat dhe në ndeshjet e Europa Ligës nuk po luan me formacionin më të mirë të saj. Optimizmi te kampionët bardhekuq vihet në dukje dhe nga mbrojtësi Jashtnica, i cili tha se të besuarit e Josës do të udhëtojnë me objektivin e qartë, që është marrja e të paktën një pike.
Lidhur me sfidën e së enjtes, Qeveria Europiane e Futbollit ka vendosur dhe katërshen e gjyqtarëve, të cilët do të jenë nga Malta. Kryesor do të jetë 37-vjeçari nga Malta, Clayton Pisani, ndërsa asistentë të tij bashkëkombasit Alan Camilleri, Mitchell Scerri, Marco Borg, Philip Farrugia dhe Edward Spitteri. Clayton Pisani është një gjyqtar i njohur në arenën ndërkombëtare pasi mban stemën e FIFA-s që prej vitit 2009. Nga data 12 gusht e këtij viti deri në 14 gusht ai është përfshirë nga UEFA në kursin e përgatitjeve të arbitrave më të mirë të këtij institucioni.
Tuesday, 20 October 2015 15:37