Delegacioni i Federatës Shqiptare të Futbollit do të jetë gjigand gjatë finaleve të Evropianit “Francë 2016”.
Ndërsa në fushën e blertë do të luajnë 11 kuqezinj të përzgjedhur nga trajneri De Biasi, në shkallët e stadiumit do të jenë ish-kuqezinjtë e përzgjedhur nga presidenti Duka.
“Çdo ish-futbollist i Kombëtare, qoftë edhe nëse i ka rënë një herë topit, do të jetë i pranishëm në stadium, për të parë ndeshjen e parë të Shqipërisë në finalet e “Francës”, do të deklaronte të dielën në emisionin “Skaner” në Ora News, presidenti Armand Duka.
Në shenjë respekti për kontributin e dhënë ndër vite, Federata Shqiptare e Futbollit ka menduar t’u dhurojë të gjithë ish-futbollistëve të Kombëtares nga një biletë për ndeshjen hapëse të Shqipërisë në finalet e Evropianit.
E sigurt është, që gjatë qershorit të vitit të ardhshëm, Franca do të ngjyroset kuqezi nga fansat e Kombëtares, të cilët për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar, do të kenë rastin të ndjekin dhe mbështesin Shqipërinë e tyre, në një event të tillë të përmasave kontinentale.
Monday, 19 October 2015 15:33