Veç pritjes madhështore nga tifozët, nderimit me tituj honorikë nga nga Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama, apo premtimit për t’u shpërblyer nga FSHF-ja me 2 milionë euro për kualifikimin në Euro 2016, kuqezinjtë e Kombëtares sonë kanë marrë edhe indikacionet dhe beneficet e para të suksesit të tyre në tregun e futbollit ndërkombëtar.
Portali “transfermarkt.de”, i specializuar në fushën e vlerësimeve dhe transfertave të lojtarëve, ka reaguar i pari, duke pasqyruar vlera më të rritura financiare për futbollistët e Kombëtares sonë pas kualifikimit për në “Francë 2016”, shkruan Sportal.al.
Rritjen më të madhe të vlerës e ka pësuar kartoni i mesfushorit Ergys Kaçe, për të cilin, çdo klub që do të ketë nevojë për shërbimet e shtatshkurtit kuqezi, duhet të paguajë minimalisht 3 milionë euro.
Listën e futbollistëve më të shtrenjtë të Kombëtares sonë, e kryeson shkodrani Elseid Hysaj, për kartonin e të cilin, Napolit iu desh të paguante plot 5 milionë euro.
Sipas specialistëve të kësaj fushe, duke iu referuar moshës dhe performancës së Hysajt, vlera e kartonit të tij mjaft shpejt do të rritet ndjeshëm.
Pas tij renditet sulmuesi i Bazelit, Shkëlzen Gashi, kartoni i të cilit kushton 4.5 milionë euro, duke vazhduar me Etrit Berishën me 3 milionë euro, Taulant Xhakën 2.5 milionë euro dhe duke vazhduar me futbollistët e tjerë kuqezinj.
I rëndësishëm është fakti, se ka një trend për rritjen e kuotave dhe vlerave të tyre financiare, pasi përpara janë finalet e Evropianit, të cilat do të jenë edhe një “vitrinë” e mirë për ta, theksojnë specialistët e marketingut në tregun e futbollit.
Friday, 16 October 2015 16:35