Kombëtarja shqiptare në futboll pas suksesit historik, kualifikimin për në Evropianin “Francë 2016”, është pritur që do të vizitojë Kosovën, por duket se situata politike që po mbretëron këtyre ditëve në vendin tonë, ka bërë që kjo vizitë për momentin të anulohet.
Mirëpo, zyra për informim e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), në një prononcim për KosovaPress, ka bërë më dije se nuk është situata politike shkak i anulimit të vizitës së Kombëtares.
FSHF thotë se vizita e kombëtares në Kosovë do të realizohet, por sipas FSHF-së, ende nuk është caktuar data për një vizitë të tillë.
“Nuk është e vërtetë që është anuluar vizita e Kombëtares në Kosovë për shkak të situatës politike aty. Vizita do behet, thjesht nuk është caktuar akoma data. Kur të vendoset, do behët publike”, është thënë nga zyra për informim e FSHF-së.
Wednesday, 14 October 2015 20:02