Administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani, është në hetim nga Prokuroria e Parmës në lidhje me falimentimin e klubit verdheblu.
Akuza e ngritur ndaj drejtuesit kuqezi është zhvlerësimi i të mirave materiale të klubit. Në qendër të hetimeve është blerja nga ana e klubit kuqezi të mbrojtësit Gabriel Paletta.
Hipoteza e hetuesve, sipas “Gazzetta di Parma”, është se Milani në janarin e kaluar e ka blerë mbrojtësin italo-argjentinas “nën vlerë” duke paguar vetëm 2,5 milionë euro ndërsa vlera e lojtarit në merkato ka qenë më e lartë. Një transferim me kosto aq të ulët sa “ka ndikuar në zhvlerësimin e pasurisë së Parmës, duke kontribuar kështu në rëndimin e mëtejshëm të gjendjes financiare të klubit”.
Prokuroria e Parmës në ditët e kaluara i ka kërkuar gjykatës edhe një shtyrje të hetimeve. Ka shumë mundësi që persona të tjerë të përfundojnë nën hetim dhe, sipas gazetës lokale, mund të mos jenë njoftuar akoma për këtë, duke përfshirë këtu edhe Gallianin.
Klubi kuqezi ka reaguar duke publikuar këtë komunikatë: “Në lidhje me lajmet e shpërndara sot për hetimin e Adriano Gallianit në lidhje me operacionin e blerjes së Palettas, A.C. Milan thekson se operacioni në fjalë ka qenë i rregullt dhe shpreh sigurinë se në këtë përfundim do të arrijnë edhe hetuesit”.
Wednesday, 14 October 2015 22:23