26 futbollistët e grumbulluar për këtë sfidë kanë një moshë mesatare 26,2-vjeç, teksa në krahasim me kualifikueset e Botërorit, është ulur me 0,6-vjeç
Gianni de Biasi ka rifreskuar kombëtaren dhe e ka bërë ashtu si një stilist, gjatë ndryshimit të stinëve, përpiqet që të heqë diçka nga “e tepruara”… për t’i dhënë klas edhe substancës e sasisë, por pa e ndryshuar së tepërmi deri në ekstremitet.
Dhe, nëse bën një përllogaritje të vogël, organika e 26 futbollistëve të grumbulluar për këtë ndeshje, ka një mesatare prej 26,2 vjeç, teksa formacioni bazë, që pritet të zbresë në fushë këtë ndeshje (jo zyrtar, sigurisht), mund të kapë shifrën 26,3 vjeç, me mesfushën si repartin më të “ri”, shkruan gazeta shqiptare ‘Sport Ekspres’
Sigurisht, rekordi u thye kur në sfidën ndaj Portugalisë, formacioni i 11-të titullarëve kishte një moshë mesatare 25,8 vjeç. E megjithatë, duhet thënë se italiani ka bërë një punë të jashtëzakonshme sa i përket lojtarëve të rinj që janë afruar dhe që do të afrohen.
Praktikisht, me Alijin në krah të majtë dhe me Rrahmanin në qendër, pa harruar Ajetin dhe Xhimshtin, por sidomos me Hysaj në krah, mbrojtja do të jetë e blinduar për dhjetë vitet e ardhshme, duke qenë se mosha e tyre është nën 22-vjeç. Sakaq, mosha është ulur edhe me 0,6-vjeç në krahasim me tre vjet më parë, në kualifikueset e Botërorit 2014, kur në Shqipëri-Qipro 3-1, mosha ishte 26,8-vjeç e formacionit titullar.
Boshti – Aktualisht, futbollistët më të vjetër janë kapiteni Lorik Cana, mbrojtësi i majtë, Ansi Agolli, sulmuesi i Skënderbeut, Hamdi Salihi, dhe mesfushori i qendrës, Burim Kukeli, që kalojnë moshën 30-vjeç. Për ata, shansi për Evropian mund të jetë i fundit, pasi për eliminatoret e tjera do të duhen edhe tre vjet. /SportEskpres/
Monday, 05 October 2015 17:12