“I tërë vendi, jo vetëm qyteti i Korçës, është krenar për atë që Skënderbeu ka arritur”, ka thënë sulmuesi Hamdi Salihi, përcjell të mërkurën sajti zyrtar i UEFA-s.
Sajti i Konfederatës Evropiane të Futbollit ka paraqitur përmes një shkrimi kampanjën historike të kampionit të Shqipërisë në futboll, Skënderbeu, të Korçës.
Skënderbeu ka humbur në plejof të Ligës së Kampionëve nga Dinamo e Zagrebit me rezultatin 6:2 pas dy ndeshjeve, por prapë është bërë klubi i parë shqiptar që paraqitet në fazën grupore të një gare të madhe të UEFA-s. Skënderbeu po luan në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Ndeshjen e parë në Grupin H e humbi në Elbasan nga Beshiktashi me shifrat 1:0. Të enjten (sot) nga ora 19:00 luan ndeshjen e dytë në Moskë të Rusisë kundër Lokomotiv Moskës.
“Disa muaj më parë kjo ishte vetëm një ëndërr e largët. Ne ndiheshim sikur nuk guxonim të tentonim të bënim ëndrrën realitet, por e bëmë këtë”, ka theksuar sulmuesi kryesor i Skënderbeut, Salihi.
Bledi Shkëmbi, bashkëlojtari i Salihit, beson se përvoja në Evropë e Skënderbeut do të inspirojë rivalët në kampionatin e Shqipërisë.
“Ne duhet të qëndrojmë të përulur. Shpresoj se ekipet e tjera shqiptare do të ndjekin gjurmët tona”.
Salihi ka bërë karrierë në Austri, SHBA, Kinë e Izrael, para se të kthehej në Shqipëri këtë verë.
“Ishte ëndërr imja të bëja histori me një klub të Shqipërisë. Duke parë potencialin e Skënderbeut mendova se është koha e duhur që të kthehem. Për fat dëshira ime u realizua”, ka thënë Salihi.
Në vitin 2012, pasi Skënderbeu u eliminua në gara evropiane nga Debreceni hungarez, Mirel Josa zëvendësoi në rolin e trajnerit Stanislav Levyn, ndërsa presidentin Agim Zeqo e zëvendësoi Ardian Takaj. Tri vite më vonë kampioni i Shqipërisë po e shkruan emrin në librat e historisë, ka shkruar UEFA.
Shkëmbi po kalon periudhën e tretë te klubi nga qyteti i lindjes. Ka nisur karrierën te Skënderbeu në vitin 1997.
“Është klub tërësisht ndryshe nga ai që kam nisur. Ish-presidenti Zeqo dhe presidenti aktual Takaj kanë transformuar klubin. Skuadra është përmirësuar dhe është adaptuar në futbollin evropian”, ka thënë Shkëmbi. Ai ka theksuar se Skënderbeu ka mësuar nga disfata që e pësoi nga Beshiktashi në ndeshjen e parë.
“Megjithatë rezultati që kemi arritur është si qershi mbi tortë për karrierën time”, ka thënë Shkëmbi, transmeton Koha Ditore.
Hamdi Salihi synon sukses të njëjtë edhe edicionin e ardhshëm.
“Skuadra po bëhet më e fortë çdo ditë dhe kjo është gjë pozitive. Vitin tjetër ne shpresojmë të bëjmë të njëjtën gjë apo edhe më mirë. Nuk do të jemi më të panjohur dhe shpresoj se do të merremi seriozisht nga kundërshtarët tanë evropianë”, ka thënë Salihi për sajtin e UEFA-s.
Thursday, 01 October 2015 16:06