Ka përfunduar takimi mes drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), udhëheqësve të Federatës së Serbisë dhe zyrtarëve të UEFA-së.
Takimi mes krerëve të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), përfaqësuesve të Federatës Serbe dhe zyrtarëve të UEFA-së, i cili është mbajtur në Tiranë , ka përfunduar para pak çastesh.
Palët janë takuar për të biseduar për organizimin e ndeshjes së 8 Tetorit mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Elbasan Arena”, shkruan gazeta Express.
Në takim morën pjesë përfaqësuesi i sigurisë së UEFA-s Keny Scott, ambasadori i Republikës Serbe në Tiranë Miroljub Zariç dhe përfaqësues të Federatës Serbe të Futbollit.
Po ashtu, në takim ishte edhe zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Altin Qato, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Plarent Ndreca dhe përfaqësues të organizmave që kanë lidhje me zhvillimin e ndeshjes
Në qendër të vëmendjes, së këtij takimi, ishin masat që do të merren në mënyrë që gjithçka në këtë ndeshje të shkojë sa më mire.
“Ishte një takim informues, në vazhdën e konsultave dhe takimeve që kemi zhvilluar gjatë gjithë kësaj periudhe, për organizimin sa më të mirë të kësaj ndeshjeje. Të gjithë të pranishmit, informuan në lidhje me masat që duhet të marrin në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë”, ka deklaruar sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.
Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesi i sigurisë së UEFA-s, të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Policisë së Shtetit, u nisën për në Elbasan ku inspektuan stadiumin “Elbasan Arena”.
Thursday, 24 September 2015 15:25