“Çmenduri” për një biletë. Të shohësh në “Elbasan Arena” sfidën midis Shqipërisë dhe Serbisë mund të të kushtojë plot një mijë euro.
Tifozët e Kombëtares, kryesisht ata nga Kosova që e konsiderojnë si speciale këtë përballje, janë të gatshëm të ofrojnë këtë shumë për të pasur një biletë për këtë sfidë.
kuq-e-ziNuk ka rëndësi se për cilin sektor bëhet fjalë, mjafton të hyjnë në stadium. Burime të besueshme të “Panorama Sport” konfirmojnë se një pjesë e madhe e tifozëve kanë arritur të prenotojnë bileta me shuma marramendëse, në shifra që deri tani ishin të padëgjuara.
Mekanizmi – Gazeta arrin të zbardhë edhe mekanizmin sesi një biletë, qoftë edhe më e lira, ajo 1 mijë lekë të rinj, ka arritur deri në 1 mijë euro. Personat që kanë akses në Federatë dhe mund të sigurojnë bileta, janë ata që i kanë dërguar çmimet deri në këtë pikë, e lidhur kjo me kërkesën e jashtëzakonshme nga ana e shqiptarëve të Kosovës për të siguruar hyrjen në stadium. Në disa raste, një biletë kalon në tre duar, ndaj edhe çmimi i saj shkon deri në 100-fish.
Kështu, pasi kanë arritur të gjejnë lidhjet me njerëz të ndryshëm që kanë akses për të porositur bileta, tifozët nga Kosova kanë dërguar të dhënat e tyre, në mënyrë që bileta të jetë e personalizuar dhe të mos ketë asnjë problem gjatë hyrjes në stadium mbrëmjen e 8 tetorit në “Elbasan Arena”. Nëse kërkesa do vijojë të jetë e lartë, atëherë nuk është çudi që çmimi i saj t’i kalojë 1 mijë eurot, pasi ka shumë shqiptarë nga diaspora që kanë prerë biletën e mbërritjes në Shqipëri dhe më konkretisht në Elbasan. Kjo kategori sportdashë- sish do të ishte e gatshëm të paguante çdo shumë për ta parë nga afër këtë ndeshje.
Federata – Ajo që duket më e pafuqishme për ta parandaluar këtë treg të zi të sofistikuar është vetë Federata, edhe pse u mendua që me një biletë të personalizuar do të ishte më e vështirë tregtimi i tyre në të zezë.
Thuhet kështu, pasi nuk mund të parashikojë dot që këto bileta janë të destinuara për të shkuar te personat që kanë paguar qindra e mijëra euro për një të tillë, ndërkohë që zyrtarisht maksimumi nuk i kalon 70 eurot.
Ato nuk kanë nisur ende të shpërndahen për ata që i kanë porositur, por kjo është thjesht një formalitet, sepse nëse janë marrë të dhënat për ta personalizuar, praktikisht bileta është blerë.
Precedenti – Edhe në sfidën me Portugalinë, me bileta të personalizuara, sërish nuk u shmang dot tregu i zi, ndonëse në përmasa jo shumë të mëdha.
Një biletë për këtë sfidë arriti deri në 800 euro. Gjithsesi, nëse e krahasojmë me ndeshjet e kaluara, kur biletat nuk ishin të personalizuara, është reduktuar disi shitja e tyre në treg të zi.
Por, edhe pse me siguri të madhe, sërish evitimi i shitjes nën dorë duket i pamundur.
Wednesday, 23 September 2015 13:31