Ende pa kaluar muaji i parë i sezonit 2015-2016, Barcelona dhe Real Madrid numërojnë gjithsej 14 dëmtime muskulore
Real Madridi dhe Barcelona asesi të shpëtojnë nga lëndimet e lojtarëve të tyre. Infermieria e dy gjigantëve spanjollë ka qenë mjaft e angazhuar me lëndimet e lojtarëve, edhe pse edicioni sapo ka nisur.
Disa lojtarë janë dëmtuar në ndeshjet ndërkombëtare që tani etiketohen edhe si ‘virusi i FIFA-s’.
Në infermierinë e Barçës deri më tani numërohen shtatë lojtarë me probleme muskulore. Dani Alves, Adriano, Claudio Bravo, Jordi Alba, Douglas, Sergi Roberto dhe Vermaelen kanë shfaqur probleme gjatë ditëve të para të sezonit. I ndryshëm është rasti i Rafinha-s, që pësoi lëndim të rëndë në ndeshjen ndaj Romës, duke i dhënë lamtumirën sezonit.
Prej fazës përgatitore deri në këto momente, shtatë lëndime muskulore janë regjistruar edhe te Real Madrid. Illarramendi, Benzema, Cristiano Ronaldo, Pepe, Danilo, James dhe Bale. Ndërsa Benzema dhe Ronaldo duket se janë rikthyer në gjendjen optimale, braziliani Danilo dhe kolumbiani James Rodriguez u dëmtuan në angazhimet me përfaqësueset.
Dëmtimi më i fundit ishte ai i Gareth Bale në fitoren ndaj Shakhtar në Champions. Uellsiani do të qëndrojë dy javë larg fushave, ndërsa sipas stafit mjekësor do të jetë gati për derbin e Madrid-it me 4 tetor.
Saturday, 19 September 2015 08:12