Diego Armando Maradona kritikon ashpër trajnerin e Napolit Maurizio Sarri për startin e dobët të sezonit. Legjenda argjentinase që ka fituar 2 tituj kampion me napolitanët, këmbëngul se Sarri në e ka profilin e trajnerit që i duhet skuadrës së presidentit De Laurentiis.
“Dy pikë më tri ndeshje janë të merituara, sepse është paraqitur në mënyrë të frikshme. Napoli nuk di të luajë, nuk ka një mbrojtje që të jep qetësi për të ëndërruar gjëra të mëdha. Kështu nuk arrin as në mesin e tabelës.”
Më pas 54-vjecari, foli me detaje për zgjedhjen e presidentit për t’ia besuar drejtimin e skuadrës ish-trajnerit të Empolit.
“Nuk e di cfarë ndodhi në verë, por mund të them se Benitez ofronte siguri. Unë e respektoj Sarrin, por nuk është trajneri i duhur për një Napoli fitues. Sarrit i kanë bërë një dhuratë të bukur për ditëlindje. Po të ishte në dorën time, do ta mbaja Benitezin. Jo më kot ai është sot trajner i Realit të Madridit. Dikush ka gabuar dhe këtë ne po e shohim në fushën e blertë. De Laurentiis duhet të kishte zgjedhur trajner me ekspriencë që di ta komandojë grupin.”
Maradona e mbyll me një koment të hidhur për tifozët e zjarrtë të Napolit.
“Napoli i sotëm më kujton Napolin tim të parë, kur luftonim për mbijetesë. kjo është frika ime më e madhe.”
Tuesday, 15 September 2015 14:32