Ka qenë një mbrëmje për t’u harruar ajo e Sokol Cikalleshit dje.
Sikur të mos mjaftonte shtylla që i mohoi golin dhe më pas humbja në minutën e fundit, dje sulmuesi pas ndeshjes është konfrontuar edhe me forca të policisë.
Afro 15 minuta pas ndeshjes, vëllai i sulmuesit të Kombëtares ka dashur të hyjë në ambientet e stadiumit, me qëllim që të takonte Sokolin. Ai është prezantuar si vëllai i tij dhe ka thënë se donte të takonte Sokolin, por pa e kaluar kufirin e lejuar, ndërkohë që policët i kanë bërë me dije se nuk mund të hynte kurrsesi brenda ambienteve.
Pas një debati që përfundoi edhe në prekje me duar, vëllai i futbollistit është larguar me forcë prej aty. Pas pak minutash ka dalë nga stadiumi Cikalleshi, i cili është vënë në dijeni për incidentin e të vëllait me policët dhe ka nisur të pyesë uniformat i irrituar se me ç’të drejtë i kishin goditur familjarin e tij.
Jashtë rrethimit të stadiumit ka nisur një debat verbal i ashpër mes futbollistit dhe policëve. Ky i fundit u thoshte se ata mund të mjaftoheshin vetëm duke mos e lejuar të hynte brenda, por jo ta dhunonin, ndërkohë që policët i kërkuan sulmuesit kuqezi të largohej dhe të mos e zgjaste me këtë bisedë. Ka pasur edhe kontakte fizike mes lojtarit dhe forcave speciale, por pa kaluar në dhunë të mirëfilltë. /Panorama Sport/
Tuesday, 08 September 2015 13:05