Armend Dallku ka folur para ndeshjes Shqipëri – Portugali lidhur me rezultatin e mundshëm, formacionet eventuale dhe serinë pozitive të Kombëtares.
Dallku ka thënë për Gazetaolle, se edhe nëse nuk fiton Kombëtarja, barazimi do të ishte një rezultat i pranueshëm, ndërsa nuk pret ndryshime në formacion.
“Presim rezultat pozitiv, edhe barazimi do të ishte i pranueshëm për ekipin tonë. Do të jetë motiv për dy ndeshjet e ardhshme, dhe do të vazhdonte seria e ndeshjeve pa humbje, ku unë vet e di se çfarë motivi ke për të dhënë gjithçka në fushë nga vetja jote dhe për ta vazhduar atë seri të rezultateve pozitive”, ka deklaruar Dallku i cili është paraqitur 64 herë për Shqipërinë.
“Ekipi mendoj duhet të paraqitet me të njëjtin formacion sikurse ndaj Danimarkës, mirëpo ndërrimet mund të bëhen edhe më shpejt, sepse lojtarët mund të konsumohen më shpejt në këtë ndeshje, duke e ditur se kanë humbur energji shumë ndaj Danimarkës. Nuk e përjashtoj ndonjë ndërrim në formacion në ndeshjen e sotme nga trajneri jonë. Sido që të jetë, është për t’u admiruar ekipi, sepse trajneri mund të zgjedh lojtarët, ku në vitet e kaluara kishte pak mundësi zgjedhjeje”
“Personalisht ju uroj nga zemra një rezultat pozitiv që ëndrra jonë të vazhdojë. Për fund të mos harrojmë se po luajmë kundër Portugalisë dhe jo kundër Ronaldos”, ishte mesazhi i Dallkut.
Monday, 07 September 2015 17:59