E Hëna do të jetë një tjetër ditë e mbushur me sfida eliminatore për Euro 2016. Nëse vëmendja e të gjithë shqiptarëve është e përqëndruar te ndeshja e Elbasan Arenas mes Shqipërisë dhe Portugalisë, një tjetër sfidë me një rëndësi të vecantë dhe që mund të vendosë shumë për fatet e Grupit I, do të luhet në Yerevan ku në orën 18:00 Armenia do të presë Danimarkën.
Nordikët të cilët vijnë në këtë takim pas barazimit 0-0 ndaj Shqipërisë në Kopenhagen do të synojnë me cdo kusht të marrin një fitore që mund ti afrojë me kualifikimin, gjithsesi nga ana tjetër Armenia do të përpiqet gjithashtu të marrë një rezultat pozitiv pasi luan përpara publikut të saj.
Në Shqipëri kanë nisur të kryqëzojnë gishtat që formacioni i Morten Olsen të mos dalë me një trepikësh nga kjo sfidë, pasi në këtë mënyrë kombëtarja kuqezi do të kishte akoma edhe më shumë shance të kualifikohej direkt për në Francë. Armeni-Danimarkë do të mund ta ndiqni drejtëpërdrejt në SuperSport 3.
E Hëna është dita e kampionëve të Botës. Sot në Hamden Park të Glasgowt zbret në fushë Gjermania që sfidon Skocinë në një ndeshje që vlen shumë për skuadrën e Joachim Low. Pancerat aktualisht numërojnë 16 pikë dhe gjenden në krye të Grupit D, një sukses ndaj Skocisë do ti siguronte kualifikimin në Europian, Gjermanisë edhe pse ndoshta jo matematikisht pasi kjo do të varej nga Republika e Irlandës që luan në shtëpi përballë Gjeorgjisë.
Dy ndeshje mjaft interesante janë edhe ato të Grupit F ku Iralanda e Veriut sfidon Hungarinë në një takim që vlen kualifikimin direkt në Euro 2016, ndërsa Rumania pret në shtëpi një Greqi të dorëzuar dhe që pozicionohet në vendin e fundit të Grupit për të hedhur një hap të sigurtë drejt Europianit.
Përvec Armeni-Danimarkë dhe Skoci-Gjermani në SuperSport do të transmetohet live edhe sfida miqësore e vlefshme për Grupin I mes Francës dhe Serbisë. Kundërshtari i ardhshëm i kombëtares kuqezi në Bordo do të synojë ti bëjë surprizë të pakëndshme Francës që duket në një formë shumë të mirë pas fitores 1-0 ndaj Portugalisë.
Monday, 07 September 2015 13:03