Njëri ndër njerëzit më meritorë për këndelljen e kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi në një intervistë për FIFA-n, është shprehur se ajo që i pëlqen më së shumti te lojtarët e tij është krenaria dhe pasioni që kanë për fanellën e tyre.
Dy ndeshjet e ardhshme të Shqipërisë do të jenë kruciale për fatin e kombëtares për një kualifikim në Euro 2016 në Francë, transmeton Koha.net. Shqipëria do të luaj më 4 shtator ndeshjen shumë të rëndësishme ndaj Danimarkës në Kopenhagë, kurse Portugalinë e pret në shtëpi.
“Çka më pëlqen më së shumti te lojtarët e mi është se, ata janë shumë krenarë dhe të pasionuar, që ndonjëherë ma vështirëson punën. Por më duhet t’i bëjë të kuptojnë që duhet ta marrin çdo ndeshje një nga një’, është shprehur De Biasi për fifa.com.
Por përkundër që Shqipëria është në rrugën e duhur për një kualifikim në Francë, 59 vjeçari, është shprehur se ende kanë edhe shumë punë për të bërë.
“Jemi në një pozitë fantastike tani. Jemi shumë krenarë dhe të lumtur, por pozita në të cilën e kemi sjellë veten gjithashtu nënkupton që ne duhet të japim më të mirën tonë në sfidat e ardhshme”, ka shtuar më tutje De Biasi.
Friday, 28 August 2015 16:02