Kur na ndajnë më pak se dy javë nga sfida e 7 Shtatorit mes Shqipërisë dhe Portugalisë që do të zhvillohet në Elbasan Arena, situata në të cilën gjendet përfaqësuesja luzitane nuk është shumë e mirë dhe shanset e kombëtares kuqezi për të arritur një tjetër fitore historike ndaj Portugalisë pas asaj në Aveiro sa vinë e shtohen.
Të Premten trajneri Fernando Santos do të bëjë publike listën e lojtarëve të grumbulluar për dy sfidat e Shtatorit ndaj Francës dhe Shqipërisë, por problemet për 60-vjecarin nuk mungojnë. Portugalia do të jetë praktikisht pa mesfushë në sfidën e Elbasan Arenas. Treshja titullare në repartin e ndërmjetëm në fitoren 3-2 ndaj Armenisë në transfertë e përbërë nga Joao Moutinho-Thiago Mendes dhe Fabio Coentrao, i cili në kombëtare luan më i avancuar se te Reali, nuk do të jetë e njëjta ndaj Shqipërisë.
Mesfushori i Monacos ka pësuar një dëmtim dhe do të mungojë për rreth 1 muaj, Thiago nga ana tjetër u ndëshkua me karton të kuq ndaj Armenisë dhe është i skualifikuar ndërsa i vetmi që mund të luajë është Fabio Coentrao, por edhe ky i fundit nuk po kalon një situatë aspak pozitive te Reali i Madridit dhe nuk ndodhet në formën e tij optimale. Përpara disa vitesh, një fitore kundër Portugalisë konisderohej si një mision i pamundur për kuqezinjtë tanë por tashmë situata ka ndryshuar ndjeshëm.
Fitorja 1-0 në sfidën e parë të grupit I eliminator ndaj luzitanëve në Aveiro, ngriti moralin e formacionit të drejtuar nga Gianni De Biasi, me Shqipërinë që është gjithnjë e më pranë realizimit të ëndrrës, kualifikimit për herë të parë në një kampionat europian.
Një sukses ndaj Portugalisë nuk konsiderohet më një mision i pamundur dhe këtë e dinë shumë mirë De Biasi dhe të besuarit e tij, edhe pse problemet nuk mungojnë as te kombëtarja kuqezi me Mavrajn, Currin e Memushajn të dëmtuar dhe Canën e Arlind Ajetin që nuk gjatë gjetur ende një skuadër të re për të vijuar karrierën. Megjithatë një tjetër e dhënë që favorizon Shqipërinë është se ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo nuk ka arritur akoma formën e tij ideale, madje në miqësoret e verës ka shënuar vetëm 1 gol. Edhe Danny e Nani nuk janë më ata të dikurshmit.
Te Fenerbahche ish lojtari i Manchester United edhe pse luan rregullisht ka humbur shumë nga klasi i tij, ndërsa sulmuesi i Zenitit më shumë sesa titullar lihet në stol nga Villas Boas në pjesën më të mirë të ndeshjeve. Alternativat për Fernando Santos nuk mungojnë me të rinjtë premtues si Adrien Silva, William Carvalho e Bernardo Silva që po shpërthejnë me klubet e tyre respektive, por pavarsisht gjithckaje situata në të cilën ndodhet Portugalia është shpresëdhënëse për Shqipërinë. E sigurtë është që një tjetër fitore ndaj tyre nuk mund të konsiderohet më një mision i pamundur./supersport.al
Tuesday, 25 August 2015 18:47