Armando Sadiku e Benjamin Kololli kanë shënuar nga një “hat-trick”, të dielën, në kuadër të ndeshjeve të rrethit të parë të Kupës së Zvicrës në futboll.
Megjithatë, Sadiku e Kololli nuk ishin shqiptarët e vetëm që kanë shënuar gola për skuadrat e tyre, pasi të shtunën dhe të dielën ka pasur dhjetëra gola të realizuar nga shqiptarët.
Ishte sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Sadiku, që kompletoi më shpejt “hat-trickun”, sesa Kololli. Sadiku shënoi tre gola brenda 21 minutave për skuadrën e Zuerichut, e cila mposhti në udhëtim ekipin Tavannes/Tramelan, me rezultatin bindës 6:1. Sadiku ishte ai që e hapi serinë e golave për Zuerichun në minutën e pestë, për të vazhduar edhe në minutat e 16-të e 21-të. Sadiku 24-vjeçar, krahas tre golave në kupë, ka realizuar edhe dy gola në pesë paraqitje në kampionatin zviceran, transmeton koha.net.
Ndërkohë, Kololli “hat-trickun” e tij, e realizoi në fitoren e thellë të Biel Bienne 10:1 në udhëtim kundër skuadrës Grand-Saconnex. Kololli 23-vjeçar që aktivizohet si mesfushor krahu, një gol e realizoi në pjesëlojën e parë dhe dy të tjerët gjatë pjesëlojës së dytë (15′, 59′, 72′).
Në ndeshjet e zhvilluara të dielën, në listën e realizatorëve janë regjistruar edhe Shani Tarashaj (Grasshoppers), Jahmir Hyka (Luzern) e Andi Zeqiri (Lausanne-Sport). Sulmuesi Tarashaj (82′) ka realizuar golin që kaloi në epërsi Grasshopperin që shënoi fitore me rezultatin 4:1 në udhëtim kundër skuadrës SC Cham.
Monday, 17 August 2015 13:02