Në ndeshjen e kthimit ndaj Milsamit, publiku në shkallët e stadiumit ishte në kufijtë e një rekordi për futbollin shqiptar të klubeve në epokën moderne, por nëse rekordi rezistoi ai padyshim është i destinuar për t’u thyer për ndeshjen e parë të Skënderbeut me Dinamon e Zagrebit në program të Mërkurën e 19 Gushtit.
Biletat e ndeshjes dalin në shitje këtë të shtunë, kjo si pasojë e prodhimit të tyre nga ana e UEFA-s duke filluar nga ndeshjet e Play-Offit të Champions pavarësisht dëshirës së Skënderbeut që biletat të ishin më herët në treg, por gjithsesi nga klubi korcar sinjalizojnë për interesim të jashtëzakonshëm të tifozëve nga e gjithë Shqipëria.
Në këtë mënyrë nuk do të jetë cudi nëse të 12.500 biletat që përmbush kapaciteti i stadiumit te jene te shitura. Kjo edhe për shkak se kërkesa paraprake e Dinamos së Zagrebit për tifozët kroatë ka qenë për 700 bileta, aq sa përcakton edhe rregullorja e UEFA-s për përqindjen e skuadrave në transfertë, por nuk është cudi që Dinamo të bëjë edhe një kërkesë tjetër duke kërkuar mirëkuptimin e klubit korcar për t’i vënë në dispozicion më shumë bileta.
Interesimi i madh i tifozëve vë njëkohësisht klubin para përgjegjësive më të mëdha për mbarëvajtjen e sigurisë, nga Skënderbeu njoftojnë se në stadium për ndeshjen me Dinamon do të jenë plot 250 stewart, tjetër rekord ky për sa i përket angazhimit të një firme private në stadiumet shqiptare, ndërkohë që do të ketë edhe një mbledhje të klubit me strukturat përkatëse për të përcaktuar edhe planin përfundimtar të masave.
Pavarësisht se në një grupim tifozësh nuk përjashtohet mundësia e prezencës së elementëve ekstremistë apo thënë në gjuhën e tifozëve Ultras, për sa i përket tifozëve të Dinamos së Zagrebit të paktën nuk pritet të ketë ngarkesa ekstra sportive. Kjo dhe për shkak të rivalitetit apo thënë më mirë të armiqësisë së hershme të grupit ultras të Dinamos së Zagrebit “Bad Blue Boys” me tifozët serbë.
Në fakt për të gjithë ata që njohin historinë e futbollit në ballkan ekziston opinioni se shpërbërja e ish Jugosllavisë nisi pikërisht në një përballje të mbetur në histori mes Cverna Zvezdës së Beogradit dhe Dinamoz së Zagrebit, në stadiumin Maksimir të kryeqytetit kroat, ku dhuna masive mes tifozëve serbë dhe kroatë në 13 Majin e vitit 1990 në një situatë të tensionuar politike, ishte sinjali i konfirmimit për luftën që do të pasonte vetëm pak më vonë në Ish Jugosllavi. Të paktën duke iu referuar historisë tifozët shqiptarë dhe ata kroatë duhet të jenë aleatë./supersport.al
Friday, 14 August 2015 15:05