Sulmuesi Armando Sadiku ka shënuar golin e dytë sezonal këtë të enjte, sepse gjeti golin në minutën e 20-të të sfidës që FC Zurich luajti në Sion. Sulmuesi i kombëtares shqiptare shënoi golin e barazimit të përkohshëm dhe u zëvendësua në minutën e 68-të, ndërsa FC Zurich u mund 3:1.
Titullarë në ndeshjen në Sion luajtën edhe Xhimshiti e Kukeli, të dy të ndëshkuar me karton të verdhë, në një ndeshje shumë nervoze.
Për Zurich është një moment aspak pozitiv, sepse në 5 ndeshjet e para të kampionatit ka fituar vetëm një herë.
Për herë të parë Zyrihu grumbulloi edhe mesfushorin 21-vjecar Lulzim Salija, kosovar me origjine, produkt i FC Zurich U21. Ndërkaq, të enjten u luajt edhe sfida Vaduz-Grasshoper, e mbyllur në barazim 3-3.
Mbrojtësi Aliji luajti titullar te Vaduzi, si zakonisht, ndërsa te Grasshoper luajtën nga fillimi mbrojtësi Pnishi dhe sulmuesi Tarashaj, ky i fundit kryegolashënues i kampionatit, me 5 gola.
Ndërkaq, sulmuesi Kamberi u aktivizua në minutën e 85-të, por pa ndihmuar dot Grasshoperin, që u ndal te barazimi pas dy fitoresh rresht, por mbetet në vendin e dytë në renditje.
Friday, 14 August 2015 08:12