Skuadra paraguajase e futbollit Olimpia është urdhëruar të paguajë kompensim ndaj një lojtari, kontrata e të cilit ishte pezulluar derisa ai po merrte tretmanin për kancer. Lajmin e ka bërë të ditur Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) dhe Unioni Botëror i Futbollistëve Profesionistë (FIFPro).
FIFPro e ka përshkruar këtë vendim të CAS-it në favor të futbollistit Sebastian Ariosa si “fitore e madhe ligjore”, pasi uruguajasi ka pësuar dëme morale në këtë rast.
FIFPro ka njoftuar se Ariosa ishe diagnostifikuar me tumor mediastinal në maj të vitit 2013 dhe Olimpia i pezulloi atij kontratën në dhjetor të atij viti derisa ai të ishte në gjendje të luante, shkruan sot Koha Ditore.
Në janar të vitit 2014, Ariosa anuloi kontratën e tij me Olimpian, që kishte edhe dy vite për të skaduar, për mospajtim.
Mirëpo, sipas FIFPro, Olimpia e kishte urdhëruar atë që të niste stërvitje menjëherë, edhe pse ai po i nënshtrohej kimioterapisë.
Në vendimin e tij, CAS ka urdhëruar Olimpian t’i paguajë Ariosas pagat që ia ka borxh si dhe të ashtuquajturën pagën e muajit të 13-të për çdo vit të kontratës si dhe pjesën e mbetur të kontratës që skadon në dhjetor të vitit 2015.
Wednesday, 12 August 2015 15:05