Prej gati një viti një banderolë me emrin e aviokompanis, Germanwings dhe mbrapashtesën, Arena qëndrojnë në pjesën qendrore të stadiumit të kryeqytetit të Kosovës. Kontrata në fuqi e nënshkruar nga ish-kryetari i Komunës, Isa Mustafa e kryetari i klubit, Remzi Ejupi nuk parashikon asgjë për raste të tilla.
Drejtuesit e KF (klubit të futbollit) Prishtina apo FC Prishtina si preferojnë ata të quhen për shkak të privatizimit që thirren ta kenë kryer vite më parë, i kanë ndërruar edhe emrin stadiumit të kryeqytetit të Kosovës në heshtje.
Sipas një banderole që qëndron në mes të tribunës perëndimor me mbishkrimin, Germanwings Arena, stadiumi më i njohur i futbollit në Kosova ka emrin e tij.
Në Departamentin për sport të Komunës së Prishtinës, nuk dinë asgjë për rastin e gjitha çfarë gjen në sirtarët e tyre është kontrata e skaduar e dhënies së stadiumit në menaxhim (2004/2014), nga koha kur kryetar ishte Ismet Beqiri.
Stadiumi i qytetit të Prishtinës filloi ndërtimin më 1951, kurse formën e përafërt të sotme e mori nga viti 1953. Modifikime ka pasur edhe në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar në bazë të sukseseve të ekipi në Ish-Federatë e futbollit të Jugosllavisë, kur një pjesë e tribunës së perëndimit është ndërtuar edhe me një investim nga kompania publike, Dardania.
Gjatë viteve të 90-ta dhe pas vitit 2000, hapësirat e saj nga pjesa e jashtme janë shfrytëzuar për pazar, ku të hyrat janë menaxhuar nga klubi, në saje të një kontrate që e kanë përfituar menjëherë pas përfundimit të luftës nga qeveria e përkohëshme komunale.
Nga Drejtoria e sportit na prezantuan kontratën në fuqi, sipas së cilës në nenin 5 të saj për çfarëdo ndryshimi menaxhuesit e stadiumit ata të klubit të futbollit, duhet të informojnë komunën, që në këtë rast nuk e kanë bërë. Ndryshimi i emrit të stadiumit për çështje komerciale nuk është e parashikuar me kërë kontatë.
Sipas një kontrate që e kanë me Komunën e Prishtinës nga koha kur kjo menaxhohej nga Lidhja Demokratike e Kosovës (2004 dhe e vazhduar), drejtuesit e klubit detyrohen t’i japin 22 % të hyrave komunës.
Për ndërrimin e emrit të stadiumit nuk ka dijeni as vet kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti .
“Nuk e di, si është e parashikuar në kontratë kjo punë, por ata nuk kanë të drejtë të ndërmarrin diçka të tillë së paku pa e lajmëruar komunën”, tha ai kohë më parë për portalin, Sporti 1.
Klubi i futbollit Prishtina nga shtatori i vitit 2004 figuron si kompani private e regjistruar si SHPK (Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar) në bazë të një privatizimi ad-hoc me një vendim të kuvendit të klubit nga kuvendar të kontestueshëm, ndërsa kontratën e saj të fundit me komunën e ka nënshkruar ish-kryetari i Komunës dhe kryeministri aktual, Isa Mustafa i cili njëkohësisht kishte ble aksione në klub bashkë me disa zyrtar të komunës nga koha kur kjo menaxhohej nga ai, duke dëshmuar haptazi konflikt interesi, dhe kryetari aktual i klubit të futbollit Prishtina, Remzi Ejupi.
Drejtori ekzekutiv i klubit të futbollit Prishtina, Sokol Krasniqi pranon tërthorazi se bëhet fjalë për një sponsorizim. Ai tha se kjo është që nga ndeshja me Sivassporin, por sipas tij nuk është hequr!?!
“Është një sponsorim i mbetur prej lojës me Sivasporin, kjo ka qenë e përgatitur për të”, tha ai.
Ndonëse kanë kaluar gati një vit nga ajo lojë dhe edne figuron emri i njëjtë Germanwings Arena. “Ma mirë me nejt se me i hekur, po bëhet stadiumi i shëmtuar”, tha Krasniqi.
Sipas ligjit në fuqi për dhënien në shfrytëzim të objekteve publike nga ana e komunave, duhet të formohet një komision i cili duhet të mbikqyr punën e tij, por diçka e tillë sipas drejtoreshës së Departamentit të sportit në komunën e Prishtinës, Saranda Bogujevci së paku në kohën sa është ajo përgjegjëse nuk ka ndodhur.
Emrat e kompanive të mëdha nëpër stadiume janë formë që tashmë njihet si model nëpër gjithë Evropën e më gjërë, duke filluar nga SHBA-të, por pse e kanë mbajtur të heshtur këtë fakt drejtuesit e Prishtinës, këtë e dinë më së miri ata./Sporti1.com/
Tuesday, 11 August 2015 13:03