Derbi i Superligës së Zvicrës mes Zuerichut dhe Grasshopperit luajtur javën e kaluar e promovoi në Zvicër sulmuesin e talentuar shqiptar Florian Kamberi.
Kamberi shënoi gol të bukur me kokë në minutën e 93-të për t’ia dhënë fitoren 3:2 skuadrës së Grassshopperit. Dy golat tjerë për këtë klub të madh zviceran i shënoi Shani Tarashaj, shkruan sot “Koha Ditore”.
Tarashaj e Kamberi vlerësohen të jenë dy prej shumë futbollistëve të rinj shqiptarë që kanë nisur të promovohen në Superligën e Zvicrës. Në të vërtetë nga ky shtet në dekadën e fundit kanë dalë futbollistët më të mirë shqiptarë.
Ka shumë arsye që vlerësohet të kenë ndikuar që nga Zvicra të dalin shumë futbollistë cilësorë shqiptarë. Një prej tyre është puna e mirë që bëhet në akademitë e klubeve zvicerane dhe fakti se të rinjtë shqiptarë e kanë rastin të zhvillohen e më pas edhe të dëshmohen në nivelin senior.
I pari lojtar me emër që doli në Zvicër ishte Milaim Rama, që luajti për Zvicrën edhe në evropianin e vitit 2004. Rama tashmë është pensionuar, ndërsa pas tij emër në futboll prej atyre që nisën e zhvilluan karrierën në Zvicër bënë Valon Behrami e Blerim Xhemaili. Më pas në skenë doli gjenerata e Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës, Pajtim Kasamit, Admir Mehmedit.
Nuk vonoi shumë kohë dhe në skenë dolën edhe lojtarët tjerë të mëdhenj shqiptarë si Shkëlzen Gashi, Taulant Xhaka, Ermir Lenjani, Burim Kukeli, Berat Xhimshiti, Naser Aliji.
Sunday, 09 August 2015 11:59