Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në një intervistë për RTK2 në gjuhën serbe, ka deklaruar se FFK-ja është afër marrëveshjes për të luajtur miqësore me Burkina Fason.
Sipas tij, kjo miqësore me këtë kombëtare afrikane, sipas të gjitha gjasave do të luhet në Prishtinë më 6 shtator. Vokrri ka folur edhe sa i përket përfshirjes së Kosovës në kualifikimet e Botërorit 2018.
“Shumë gjëra do të jenë më të qarta në mars, kur edhe pritet pranimi ynë në UEFA. Kur të ndodhë kjo, atëherë edhe përfshirja e Kosovës në njërin prej grupeve në kualifikimet e Botërorit do të jetë shumë më e lehtë”, ka thënë Vokrri.
Ai ka komentuar edhe ndeshjen e sotme të ish-skuadrës së tij të dikurshme, Partizan nga Beogradi kundër Steauas së Bukureshtit. Sipas tij, plasmani i Partizanit në Ligën e Kampionëve do të ishte i rëndësishëm për futbollin në tërë regjionin, por për ta kaluar këtë fazë bardhezinjtë e Beogradit duhet të luajnë me inteligjencë, ngase Steaua është skuadër me përvojë që është e aftë të ndëshkojë çdo gabim të kundërshtarit.
Thursday, 06 August 2015 09:39