Shqipëria pritet të ngjitet në klasifikimin global të FIFA-s aty ku nuk ka qenë kurrë më parë, në vendin e 22 në Botë dhe diçka e tillë nuk mund të linte indiferent edhe trajnerin e kuqezinjve, Gianni de Biasi që ka komentuar në profilin e tij në Facebook.
“Vazhdon ngjitja e Shqipërisë në klasifikimin e FIFA-s, që në këtë muaj Gushti kalon nga vendi i 36-të në të 22-in, duke kaluar vende si Franca, Danimarka dhe Gana”.
Edhe pse një koment i thjeshtë, De Biasi që zakonisht qëndron me “këmbë në tokë’ duke kërkuar të evitojë euforinë, këtë herë është e lehtë të kuptohet se transmeton krenarinë e tij për progresin e padiskutueshëm të Shqipërisë me të në drejtim. Vetëm një muaj më parë Shqipëria shënoi një tjetër rekord duke u ngjitur në vendin e 36-të, por trajneri i kuqezinjve preferoi të mos i jepte shumë rëndësi këtij fakti duke vënë theksin te puna me grupin dhe ndeshjet që ka përpara.
Në fakt do të jenë pikërisht takimet e radhës me Danimarkën dhe Portugalinë ato që do të thonë shumë mbi fatin e Shqipërisë për t’u kualifikuar “nga dera kryesore” në Europianin Francë 2016, dhe tekniku italian është fokusuar pikërisht te këto ndeshje duke vijuar në këto muaj në dukje “pauze” punën me ndjekjen konstante të formës dhe situatës së futbollistëve të Kombëtares dhe si gjithmonë dhe me vëzhgimin e talenteve që janë potencial për t’u bërë në të ardhmen pjesë e ekipit kombëtar. Trajneri që njihet për profilin e tij modest, këtë herë nuk mund të qëndronte pa komentuar. Në fund të fundit Shqipëria në vendin e 22 në Botë nuk është diçka që ndodh çdo ditë.
Wednesday, 05 August 2015 23:10