Andreolli, D’Ambrosio, Nagatomo, Schelotto, Shaqiri dhe Taider. Këta janë emrat që Interi dëshiron të largojë me çdo kusht pas merkatos së bollshme. Një listë e gjatë që do të kërkojë kohë për të mësuar të ardhmen me Shaqirin në krye që mbetet një nyje delikate.
Lojtari i lindur në Gjilan ka marrë një ofertë zyrtare nga Stoke City por ai nuk dëshiron të transferohet te ekipi britanik. Një sinjal të rëndësishëm ka dërguar edhe Schalke por në Appiano Gentile nuk ka mbërritur ende një ofertë zyrtare dhe në këtë mënyrë, Shaqiri mbetet i padëshiruar në shtëpi edhe pse Mancini e kërkoi me ngulm në merkaton e verës.
Është pikërisht Schalke që mund të zgjidhë problemet e Interit sepse Blutë Mbretërorë kanë shfaqur interes edhe për mbrojtësin D’Ambrosio, ndërsa Andreolli e Nagatomo mbeten ende larg lamtumirës. Japonezi ndiqet nga Galatasaray dhe ai mund të përfshihet në bisedimet për Felipe Melon.
Në rast se bisedimet për largimin e emrave të sipërpërmendur do të përfundojnë me sukses, atëherë Interi mund të hidhet sërish në sulm për dy sforcime të fundit. Perisic dhe Crisito janë objektivat realë të Mancinit që kërkon të kompletojë sa më shpejt grupin e tij.
Zeniti nuk dëshiron të dëgjojë oferta poshtë 15 milionë Eurove për mbrojtësin italian, por me uljen në një tryezë, palët mund të gjejnë një pikë të përbashkët. E njëjtë është edhe situata për kroatin e Wolfsburgut që kërkon vetëm para kesh për largimin e sulmuesit.
Sunday, 02 August 2015 16:18