Klubi i Legias nuk mendon se Kukësi do të përjashtohet ndaj vazhdon të shesë biletat për takimin e kthimit/
Kukësi ka bërë të ditur se po përgatit dosjen për t’u mbrojtur të hënën para Komisionit Disiplinor të UEFA-s.
Vendimi për rezultatin përfundimtar të ndeshjes Kukësi – Legia e Varshavës, të braktisur në minutën e 52 të takimit, do të merret nga Komisioni i Disiplinës i UEFA-s me datë 3 gusht. Organizata që drejton futbollin europian ka bërë të ditur dje se incidentet e takimit të vlefshëm për turin e tretë të Europa League do të shqyrtohen në dy mbledhje të ndryshme, fillimisht për akuzat që i përkasin palës shqiptare, e më pas atyre që i përkasin palës polake. Takimi i të hënës pritet të përcaktojë fatin e ndeshjes së parë, si dhe nëse do të luhet ndeshja e kthimit, pasi mes penaliteteve të mundshme të aktivitetit ekziston edhe përjashtimi për këtë edicion.
DurdaAkuzat kundër Kukësit janë katër, ku e para dhe më e rëndësishmja është ajo e braktisjes së ndeshjes. Pala shqiptare cilësohet si përgjegjëse për braktisjen e ndeshjes në fjalë, duke pasur parasysh se ajo ishte pritëse, se masat e sigurisë duhej të merreshin nga ajo dhe se objekti që goditi futbollistin e Legias, Duda, mendohet se erdhi nga tifozët shqiptarë. Ndezja dhe hedhja e fishekzjarrëve apo objekteve të tjera është një tjetër akuzë me të cilën përballet Kukësi, që mund të rezultojë përkeqësuese për masën ndëshkimore të marrë kundër verilindorëve, pasi në fushë janë hedhur vazhdimisht objekte kundër lojtarëve të skuadrës polake. Trazirat në tribuna dhe tentativat e tifozëve shqiptarë për t’u përplasur me ata polakë, janë një tjetër pikë që do të merret në shqyrtim nga UEFA, e cila zakonisht për ngjarje të tilla urdhëron mbylljen e pjesshme ose të plotë të stadiumit. Në fund, akuza e katërt, i përket parullës të shfaqur nga tifozët e Kukësit në fillimin e takimit, e klasifikuar si e paligjshme nga zyrtarët e UEFA-s të pranishëm në stadium, për të cilën parashikohet një gjobë. Të gjitha këto çështje, Komisioni i Disiplinës së UEFA-s do të mblidhet t’i diskutojë të hënën, me datë 3 gusht, pasi duhet vendosur fati i këtij takimi dhe rezultati teknik i tij. Ndonëse një nga masat për incidentet mund të jenë shumë drastike, deri në përjashtimin e skuadrës shqiptare, klubi i Legias mendon se nuk do të arrihet deri në këtë pikë. Në një njoftim zyrtar, klubi polak ka bërë të ditur se nuk e ka ndërprerë shitjen e biletave për takimin e kthimit, që është planifikuar të luhet më datë 6 gusht, ora 21:00.
Për sa i përket palës polake, edhe ajo përballet me një akuzë për problemet që ka krijuar tifozeria që kishte shoqëruar ekipin në Shqipëri. Tifozët polakë akuzohen për hedhjen e objekteve, pasi nuk ngurruan të gjuanin tifozët e Kukësit gjatë të gjithë kohëzgjatjes së ndeshjes. Në këtë rast, Legia pritet të ndëshkohet me gjobë ose me zhvillimin e një ndeshjeje pa tifozë në fushën kundërshtare në kompeticionet europiane, arsye pse vendimi rreth kësaj akuze do të shqyrtohet me datë 13 gusht.
Shefi i klubit, Jonuz Hallaçi, ka bërë të ditur se Kukësi ka filluar menjëherë punën për të përgatitur një dosje me prova për të mbrojtur veten para UEFA-s. “Vazhdojmë punën për grumbullimin e materialeve për provat juridike dhe ligjore për të kundërshtuar me forcë vendimin arbitror të gjyqtarit të ndeshjes, i cili nuk ndoqi hapat e rregullores së futbollit. Do të bëjmë të pamundurën që të kopsitim një dosje të plotë. Askush nga ne nuk provokoi i pari, madje këtë e bënë tifozët dhe lojtari serb që shënoi golin. Nuk përjashtoj edhe një pjesë të vogël të tifozerisë së Kukësit që ranë pre e provokimeve dhe kontribuuan që Kukësi të ndëshkohet. Ata tifozë nuk kishin lidhje me Kukësin. Duda ndërroi fanellën, ishte gati për të luajtur dhe këtë e panë të gjithë”, tha dje Hallaçi./shqip
Saturday, 01 August 2015 15:07