Mos aktivizimi në ndeshje futbollistike mund të bëjë që Shaqiri të mos të jetë pjesë as e planeve të trajnerit të Zvicrës, Vladimir Petkoviç
Skuadra e Interit është duke u përpjekur për ta bindur Xherdan Shaqirin që të largohet sa më parë nga ekipi dhe të pranojë ofertat e ardhura nga klubet tjera. Vetëm pas gjysmë viti që kur Xherdani u transferua nga Bayern Munchen për në Inter, atij nuk i garantohet më asnjë minutë lojë për sezonin e ri. Siç ka informuar edhe televizioni Rai, klubi i ka vendosur ultimatum 23 vjeçarit shqiptar.
Drejtuesit e klubit kanë komunikuar në mënyrë të qartë në një bisedë të gjatë dhe e kanë sugjeruar Xherdanin që me dashamirësi të pranojë ofertën e Schalke 04, përndryshe ai rrezikon që gjatë gjithë sezonit të jetë i ulur në stol, shkruan tagesanzeiger, përcjell “albinfo.ch”.
Oferta prej 17 milionë eurosh për Shaqirin nga klubi i Schalke 04 tashmë është mbi tavolinën e Interit, por edhe ekipi nga Gelsenkirchen duhet patjetër të përfundojnë negociatat me Juventuesin të cilët janë të interesuar për blerjen e lojtarit Draxler.
“Xherdan Shaqiri i cili nuk kishte durim të presë për të gjetur vendin e tij në klubin e Bayern Munihut, që në fakt duke pasur parasysh lëndimet e shpeshta të Robenit dhe Riberys do të kishte mundësinë për të treguar cilësitë e tij, pati kërkuar të largohet për në Milano. Trajneri i Interit, Roberto Mançini nuk i besonte shumë formës së tij dhe më shumë e la të ulur në bankën rezerviste se sa e aktivizoi në lojë. Në rast se Xherdani nuk gjen një klub të ri, atëherë kjo do të ishte një katastrofë për zhvillimin dhe të ardhmen e tij” raporton gazeta zvicerane, transmeton “albinfo.ch”.
Friday, 31 July 2015 10:37